Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdogan, sërish ka shprehur kundërshtimin e tij për anëtarësimin e mundshëm të Finlandës dhe Suedisë në NATO.
Gjatë një konference për media në Ankara së bashku me homologun e tij nga Algjeria, Erdogan tha se delegacionet e këtyre dy shteteve, që pritet javën e ardhshme të qëndrojnë në Turqi, nuk duhet të shkojnë në Turqi nëse ata shpresojnë që ta bindin Ankaranë për të ndryshuar mendje sa i përket anëtarësimit të tyre në aleancën ushtarake perëndimore.
Erdogan më 16 maj i akuzoi Finlandën dhe Suedinë se kanë dështuar të kenë një qëndrim të fortë kundër militantëve kurdë dhe kanë vendosur sanksione ushtarake ndaj Turqisë.
“Asnjëri nga këto dy shtete nuk ka një qëndrim të hapur, të qartë dhe të fortë kundër organizatave terroriste”, tha Erdogan.
“Ne nuk mund të themi ‘po’ për ata që kanë vendosur sanksione ndaj Turqisë për anëtarësimin në NATO, që është një organizatë e sigurisë”, shtoi lideri turk.
Lideri turk e përshkroi Suedinë si “qendër inkubacioni për organizatat terroriste”, duke pretenduar se disa anëtarë të Parlamentit të saj mbështesin Partinë e Punëtorëve të Kurdistanit.
Partia e Punëtorëve të Kurdistanit, që është në kryengritje ndaj Turqisë që nga viti 1984, konsiderohet organizatë terroriste nga Turqia, Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian.
Finlanda dhe Suedia kanë njoftuar zyrtarisht se do të aplikojnë për anëtarësim në NATO, teksa janë rritur shqetësimet në këto dy shtete nordike pas pushtimit rus të Ukrainës./REL