Presidenti turk Rexhep Tajip Erdogan ka folur në telefon me presidentin rus Vladimir Putin të dielën, më 11 dhjetor, për projektet e përbashkëta energjetike të dy vendeve, veçanërisht në sektorin e gazit.
Të dy liderët shkëmbyen mendime mbi krijimin e një qendre rajonale të gazit në Turqi, njoftuan agjencitë ruse të lajmeve, duke cituar Kremlinin, raporton Reuters.
Erdogan dhe Putin diskutuan gjithashtu fillimin e eksportit të produkteve të tjera ushqimore dhe mallrave të tjera përmes korridorit të grurit të Detit të Zi dhe krijimin e mundshëm të një qendre gazi, tha zyra e Erdoganit.
Marrëdhëniet me Turqinë, e cila është anëtare e NATO-s, janë jetike për Rusinë në një kohë kur, për shkak të pushtimit të Ukrainës, ajo është nën sanksionet ekonomike nga Perëndimi.
Turqia nuk iu bashkua këtyre sanksioneve, por hodhi poshtë masën e Rusisë për të aneksuar katër rajone të Ukrainës, duke e gjykuar atë si një “shkelje serioze” të së drejtës ndërkombëtare.
“Erdogan shprehu dëshirën e tij për t’i dhënë fund luftës ruso-ukrainase sa më shpejt të jetë e mundur,” tha zyra e Erdogan.
Ankaraja veproi si ndërmjetëse me Kombet e Bashkuara për një marrëveshje që garanton eksportet e grurit nga Ukraina dhe Rusia, dy prodhuesit më të mëdhenj në botë.
Një anije mallrash e ngarkuar me grurë e ankoruar në hyrjen jugore të Bosforit pranë Stambollit, 31 tetor 2022.
Siç u tha, Ankaraja dhe Moska mund të fillojnë të eksportojnë produkte dhe mallra të tjera ushqimore përmes korridorit të grurit të Detit të Zi.
Rusia i bëri thirrje Kombeve të Bashkuara që të “ushtrojë presion” ndaj Perëndimit për të hequr disa sanksione për të lejuar Moskën të eksportojë lirshëm plehra dhe produkte bujqësore, pjesë e një marrëveshjeje për eksportet nga portet e Detit të Zi.