Kreu i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj uroi këtë të hënë të gjithë besimtarët myslimanë shqiptarë për ditën e Fiter Bajramit.
I shoqëruar nga Prefekti i Tiranës, Afrim Qëndro, Veliaj ka zhvilluar edhe një vizitë pranë selisë së Komunitetit Mysliman Shqiptar, prej ku edhe përcolli urimin e tij për Fiter Bajramin.
“Dita e Bajramit është një ditë që fton një pafundësi besimtarësh, saqë edhe sheshi “Skënderbej” duket i vogël. Më vjen mirë për frymën e solidaritetit dhe jam shumë krenar për komunitetin mysliman, për myslimanët e Tiranës. Nuk ka pasur një njësi administrative që nuk ka shtruar një iftar për të pamundurit, apo që nuk ka çuar pako ushqimore. Sot do të jemi në disa shtëpi të reja që dhurohen për ata që janë më në nevojë”, tha Veliaj.
Ndërkohë, falënderoi këdo që në këtë muaj të begatë ka dhënë diçka për njerëzit në nevojë dhe për komunitetin.
“Kush ka bërë një dhurim, disa mund të kenë bërë dhurata të mëdha siç ishte xhamia e re shumë e bukur në Mullet për atë komunitet të Mulletit, të Petrelës, të zonës së kodrinave të Tiranës, i falënderoj shumë sipas mundësive. Ata që kanë bërë më pak i falënderoj po aq shumë sepse secili nuk matet nga sasia e dhuratës që ka bërë, por nga ajo që ka dhënë prej zemrës dhe prej mundësisë që ka.
Jam sot plot me krenari dhe mirënjohje. Ju uroj të gjithëve gëzuar festën dhe ashtu si ky shi sot, qoftë me bereqet, për të mira për të gjithë familjet e qytetarëve të Tiranës dhe të gjithë Shqipërisë”, tha ai.