Ervis Martinaj në Surrel? Hoxha: Prej 2 orësh forcat speciale kanë bastisur vilën e tij që ndodhet pak metra larg shtëpisë së kryeministrit Rama

Gazetari investigativ, Artan Hoxha, është shprehur se policia ka mësyrë në vilën e Ervis Martinajt në Surrel.

Me anë të një postimi në rrjete sociale, Hoxha shkruan se prej më shumë se dy orësh një numër i madh i forcave speciale kanë rrethuar vilën e Martinajt dhe po kontrollohet çdo ambient i saj. Më tej ai shton se burime nga drejtuesit e aksionit në Surrel i kanë konfirmuar atij se veprimet po kryhen në kuadër të operacionit “Plumbi i Artë”, pas dëshmive të të penduarit të drejtësisë Nuredin Dumani.

“Më në fund prokuroria, e ndau mendjen për të bastisur vilën e Vis Martinajt, që ndodhet vetëm disa metra larg banesës së kryeministrit Edi Rama në Surrel. Prej më shumë se dy orësh, një numër i madh i forcave speciale kanë rrethuar vilën e Martinajt në periferi të kryeqytetit, ndërsa policia gjyqësore po kontrollon në mënyrë të imtësishme çdo ambjent të saj.

Vila e Martinajt, është e mbikqyrur nga një sistem kamerash sigurie me rezolucion të lartë, ndërkohë ka dhe një roje, i cili kujdeset për sigurinë e saj. Prokuroria dhe policia nuk kanë dhënë ende detaje në lidhje me urdhërin e bastisjes së vilës dhe motivacionit të tij.

Burime nga drejtuesit e aksionit në Surrel, konfirmuan se, veprimet po kryhen në kuadër të hetimit të SPAK, në lidhje me operacionin “Plumbi i artë”, i nisur pas dëshmive të bashkëpunëtorit të drejtësisë Nuredin Dumani. Nuk dihet pse prokuroria është kujtuar kaq vonë për të ushtruar kontroll, në një nga ambjentet ku Martinaj, ka jetuar gjatë viteve të fundit. Pas kontrollit të ushtruar 10 ditë më parë në rezidencën e familjes Martinaj në Fushë Kuqe, ky është kontrolli i dytë që ushtrohet 5 muaj nga mbrëmja e 9 gushtit 2022, kur Ervis Martinaj u zhduk pa lënë gjurmë në një zonë në periferi të Durrësit”, shkruan Hoxha.

Share This Article
Leave a comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *