Ervis Martinaj, nga biznesmen në mit të botës së krimit

Në vitin 2013, pakkush e kishte hasur emrin Ervis Martinaj në përditshmëri, përveç një grupi të ngushtë pranë tij.

Ishte pikërisht vitit i ndërrimit të pushtetit mes Partisë Demokratike dhe asaj Socialiste, kur këta të fundit erdhën në pushtet dhe një aksion i madh në sektorin e lojërave të fatit, do të ndryshonte përgjithmonë Ervis Martinajn.

Mes viteve 2011-2013, Martinaj pati formuar tre kompani në sektorin e lojërave të fatit.

Një tjetër biznesmen në të njëjtin sektor, Elvis Doçi, i pati shitur Martinajt rreth 400 makineri të lojërave të fatit – një investim ky shumë serioz nga ana e Ervisit.

Mirëpo, një vendim i Qeverisë në ato vite, i dha fund çdo aktiviteti të tillë, duke i shpallur të jashtëligjshme lojërat e fatit.

Akuzat, ranë menjëherë mbi Martinajn sa i përket ngjarjes, por kurrë nuk u vërtetuan.

Ervisi u përfol në media, por emri i tij u zbeh shpejt, deri në vitin 2015, kur në një lokal në zonën e Linzës, u ekzekutua shtetasi Enton Nikaj.

Këtë herë, Martinaj, e kishte të dokumentuar se pati qenë pjesë e ngjarjes, për shkak të pamjeve filmike të vetë restorantit.#

Konflikti për një borxh të pakthyer ishte shkaku i vrasjes dhe përgjegjësinë për të, nuk e mori mbi shpinë vetë Martinaj, por shoqëruesi i tij, Emiljano Tasho. Ky i fundit, e pati shkrepur armën, që i dha fund jetës së 30-vjeçarit.

Martinaj, sërish, do të vijonte të mbetej i lirë për tre vitet e ardhshme, derisa një ngjarje e bujshme në zonën e ish-Bllokut, do të bënte që sytë e shqiptarëve, të ktheheshin sërish nga ai.

Ishte pikërisht data 4 tetor, kur Ervis Martinaj me një grup miqsh, do të futej në dyqanin Monopol, pas një konfliktimi me shtetasin Ervin Mata në një prej lokaleve të zonës.

Prej aty, jo të gjithë dolën të gjallë.

Viktimë, ishte një prej miqve të Martinajt, Fabian Gaxha.

Vetë Ervis Martinaj u plagos gjatë ngjarjes, së bashku me një person tjetër që e shoqëronte, Eljo Hato.

Gaxhën ndërkaq e pati qëlluar truproja i Ervin Matës, Mervjol Bilo.

Për këtë ngjarje, Martinaj u arrestua. Pas shtatë muajsh të kaluar në qelinë e burgut 302, në maj të vitit 2019, Martinaj lirohet dhe një muaj më pas, një vendim i Gjykatës së Apelit, e vulos lirinë e tij, kundrejt një garancie pasurore prej 5 milionë lekësh.

Sipas arsyetimit të Prokurorisë, nuk kishte prova të mjaftueshme ndaj Martinajt, për të përligjur mbajtjen e tij në burgim.

Vendimi ndërkohë, do të ndryshonte në prill 2021, pasi për të njëjtën ngjarje, Gjykata e Tiranës do ta dënonte Martinajn me 3 vite e 8 muaj burgim, në mungesë. Teksa, në Apel, edhe sot e kësaj dite nuk ka një vendim mbi çështjen.

Me kapjen e Nuredin Dumanit nga ana tjetër, emri i Martinajt do të figuronte në listën e personave më të kërkuar nga Policia, pasi zbërthimi i të penduarit të drejtësisë dhe dosjes “Plumbi i Artë”, e nxirrte Ervisin pjesë të disa prej ngjarjeve më të bujshme të botës së krimit në Shqipëri.

Një megaoperacion policor menjëherë zuri vend në gjithë Shqipërinë për kapjen e personave të përmendur.

 

TAGGED:
Share This Article
Leave a comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *