Escobar: Do njohim zgjedhjet në veri të Kosovës edhe pa Listën Serbe, presim propozim konkret për Asociacionin

I dërguari i posaçëm amerikan për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar thotë se ai pret që të ketë një propozim nga qeveria e Kosovës për Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe deri më 2 maj kur udhëheqësit e Kosovës dhe Serbisë të takohen në Bruksel. Zv/Ndihmës Sekretari i Shtetit për Evropën Jugore dhe Qendrore vlerësoi në një intervistë për Zërin e Amerikës përparimin e qeverisë dhe kryeministrit të Kosovës lidhur me këtë çështje. Zyrtari i lartë i Departamentit të Shtetit tha gjithashtu se Shtetet e Bashkuara do t’i njohin zgjedhjet e së dielës në Veri të Kosovës nëse ato janë të lira dhe të ndershme dhe theksoi se i ka kërkuar Listës Serbe që të luajë rolin e saj.

Zëri i Amerikës: Një muaj pas arritjes së marrëveshjes e Ohrit (mes Kosovës dhe Serbisë), i vetmi përparim është formimi i Komitetit të Përbashkët të Monitorimit në Bruksel. Cili është vlerësimi juaj për procesin deri tani?

Gabriel Escobar: Para së gjithash, dua të them se kjo ishte një marrëveshje e jashtëzakonshme. Është një marrëveshje për normalizim dhe marrëdhënie të mira paqësore sipas standardeve evropiane, sipas kornizës evropiane, mes dy palëve që do t’i karakterizoja si dy fqinjë armiqësorë. Kjo ishte ajo që donim. Kështu që unë do të thoja se kjo në vetvete ishte një arritje e jashtëzakonshme. Nëse zbatohet siç duhet, mendoj se kjo mund të sjellë një epokë të re të marrëdhënieve paqësore ndërmjet Serbisë dhe Kosovës

Zëri i Amerikës: Përvoja në Ballkan tregon se arritja e një marrëveshjeje nuk do të thotë që problemet janë zgjidhur. Zbatimi është çështja kryesore. Ku qëndrojmë në këtë drejtim?

Gabriel Escobar: Duhet të them se kemi ndërmarrë, ose me saktë Bashkimi Evropian me ndërmjetësimin e këtij dialogu, ka parashtruar një agjendë agresive në bazë të së cilës shpresoj të kemi një kalendar të zbatimit të të gjitha pikave brenda vitit.

Zëri i Amerikës: I ashtuquajturi Asociacioni i Komunave me Shumicë Serbe mbetet një nga temat kryesore. A ka pasur ndonjë përparim në lidhje me këtë?

Gabriel Escobar: Unë do të thosha po. Para së gjithash, që të jem mjaft i drejtpërdrejtë, kemi parë një evoluim të jashtëzakonshëm në qëndrimin e qeverisë së Kosovës dhe në veçanti të kryeministrit, për të pranuar këtë detyrim ligjor. Është një detyrim ekzistues në bazë të marrëveshjes së Brukselit dhe ishte shumë e vështirë për këtë qeveri dhe parti që ta pranonte si të detyrueshme. Por tani po e konsiderojnë si detyrim, janë pajtuar me të dhe kanë thënë publikisht se cilia duhet të jetë korniza dhe parametrat e Asociacionit. Dhe ne pajtohemi me këto parametra.

Zëri i Amerikës: A ka një plan kohor në lidhje me Asociacionin dhe ndoshta me zbatimin e marrëveshjes në tërësi?

Gabriel Escobar: Kur të dy udhëheqësit të takohen në maj, do të doja të shihja një projekt-plan nga qeveria e Kosovës.

Zëri i Amerikës: A doni të thoni se asgjë nuk është dorëzuar ende?

Gabriel Escobar: Deri tani nuk pritej ndonjë gjë, por shpresoj që deri në 2 maj të ketë një propozim konkret.

Zëri i Amerikës: Le të flasim pak për zgjedhjet në veri të Kosovës. Në një intervistë të mërkurën, ju thatë se Uashingtoni është i gatshëm të njohë rezultatin, pavarësisht nëse Lista Serbe i bojkoton ato. A jeni i shqetësuar për legjitimitetin e këtyre zgjedhjeve nëse ata nuk marrin pjesë?

Gabriel Escobar: Së pari, bojkotimi nuk përcakton zgjedhjet. Në fushatën zgjedhore në Serbi në 2019, opozita bojkotoi zgjedhjet. Dhe ne i bëmë thirrje që të marrë pjesë. Fakti që nuk mori pjesë, ishte zgjedhja e saj (opozitës). Dhe pas zgjedhjeve, ne njohëm qeverinë që u formua prej tyre. Në këto zgjedhje ne u kemi bërë thirrje dhe unë personalisht u kam kërkuar serbëve, Listës Serbe, që të marrin pjesë dhe të mos heqin dorë nga roli që kanë. Fakti që nuk marrin pjesë, është vendimi i tyre. Por këto parashikohen nga Kushtetuta. Ka vende të paplotësuara. Ka njerëz që nuk po marrin shërbime nga pushteti lokal sepse nuk ka pjesëmarrje. Pra nëse këto zgjedhje janë të lira dhe të ndershme, dhe unë parashikoj që të jenë, rezultati do të jetë legjitim nga këndvështrimi ynë.

Zëri i Amerikës: Personi që mund të ketë ndikim në këtë vendim është zoti Vuçiç. A keni folur me të për t’i kërkuar të ndërhyjë?

Gabriel Escobar: Unë do të thoja që nuk e përcakton ai përfundimisht nëse ata marrin pjesë ose jo. Sigurisht ai ka ndikim dhe është përpjekur ta përdorë atë ndikim. Por Lista Serbe ka këmbëngulur se ka arsyet e veta që nuk do që të marrë pjesë.

Zëri i Amerikës: A mund të na thoni se çfarë biseduat me zotin Vuçiç?

Gabriel Escobar: Ai është shumë i shqetësuar për disa gjëra. Është shumë i shqetësuar për kushtet në të cilat jetojnë serbët. Është e vërtetë që ka një farë izolimi të atij komuniteti nga qeveria qendrore dhe ne u kemi kërkuar të dyja palëve që të gjejnë mënyra për kompromis për këto çështje. Por e vërteta është që kemi vende të zbrazëta në institucione që duhet të plotësohen.

Zëri i Amerikës: Me bojkotimin e zgjedhjeve nga Lista Serbe, cili do të jetë ndikimi i këtyre zgjedhjeve tek formimi i Asociacionit? Nëse insistoni që ky Asociacion të formohet, me kë do ta bëni atë, cilët do të jenë njerëzit që emërohen aty?

Gabriel Escobar: Kjo është një pyetje që duhet t’u drejtohet atyre. Kjo ishte një nga arsyet pse unë doja që ata të merrnin pjesë dhe vazhdoj t’i inkurajoj që të marrin pjesë në jetën qytetare dhe demokratike të Veriut të Kosovës. Dhe unë mendoj se kjo është e rëndësishme. Tani, ka vende pune për t’u plotësuar. Ka vende pune që duhen plotësuar dhe institucione që kanë nevojë për pjesëmarrje. Prandaj shpresoj që të gjejnë një mënyrë për t’u rikthyer në institucione. Dhe shpresoj që të gjejnë rrugën që të marrin pjesë në të ardhmen në udhëheqjen e zgjedhur.

Zëri i Amerikës: A ka mundësi që bojkoti i tyre potencialisht të vonojë themelimin e Asociacionit?

Gabriel Escobar: Jo. Ai detyrim është i menjëhershëm, është ekzistues. Pra, pavarësisht se kush është në pushtet, Asociacioni duhet të formohet.

Zëri i Amerikës: Presidenti serb, Aleksandër Vuçiç, ka thënë se do ta zbatojë vetëm pjesërisht marrëveshjen e Ohrit. Në fakt intervista juaj e së mërkurës në shumë media u publikua krahas deklaratës së zotit Vuçiç që thoshte se Serbia nuk do të pajtohet që Kosova të bëhet anëtare e OKB-së. Anëtarësimi i Kosovës në organizatat ndërkombëtare parashikohet në marrëveshjen e Ohrit. A e rrezikon kjo marrëveshjen?

Gabriel Escobar: Nuk besoj, nuk besoj. Të dyja vendet duhet të afrohen me institucionet euroatlantike. Ky është synimi përfundimtar. Çështja e anëtarësimit në OKB, është diçka e vështirë. Ne duhet të përqendrohemi më shumë tek kandidatura tek Bashkimi Evropian, hapat e afrimit tek NATO-ja dhe tek të gjitha strukturat e tjera, përfshirë afrimin me njëri-tjetrin, gjë që do të kishte ndikim të drejtpërdrejtë në jetën e qytetarëve të tyre. Pra, ne jemi të fokusuar që përmes kësaj marrëveshjeje ta afrojmë Kosovën dhe Serbinë sa më shpejt me Evropën dhe Shtetet e Bashkuara./VOA

Share This Article
Leave a comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *