Ministrja e Shtetit për Rininë dhe Fëmijët, Bora Muzhaqi ka folur për herë të parë për faktin që është bërë shpesh herë meme në rrjetet sociale. Teksa ishte e ftuar mbrëmjen e djeshme në emisionin ‘Jo Vetëm Modë’, ajo tha se nuk ka qenë e mësuar me televizionin sepse prej 8 vitesh punonte mbas ekranit të kompjuterit dhe për të ekrani i televizionit nuk ka qenë e thjeshtë.
Bora Muzhaqi: Pas 8 vitesh punë në sektorin privat që bëja rolin e specialistit mbas ekranit të kompjuterit, mu desh që ditën e parë kur dola ekran, të isha ai personi ndryshe, sigurisht ekrani nuk është i thjeshtë. Kam përshtypjen që një pjesë e lapsusit të nxjerr nga konteksti, ndoshta e bërë nga unë dhe nga shpejtësia, për faktin që unë për shumë vite kam studiuar në anglisht, kam jetuar në Angli, ndonjëherë të vështirësohet momenti kur flet, nuk është se nuk di të flas shqip sigurisht, por…
Përsa i përket mënyrës se si i ka përjetuar, Bora shprehet se ka një natyrë që bën shaka me veten shpesh që kështu i ka parë ato me humor dhe si diçka për të qeshur.
Orinda Huta: I ke përjetuar këto momente?
Bora Muzhaqi: Unë kam një natyrë që më pëlqen të bëj shaka me veten, kështu që i kam parë gjithmonë me atë humorin dhe me atë dëshirën e mirë për të parë diçka për të qeshur. Për shembull këngën që e ka bërë Cubi e kam dëgjuar me shumë kënaqësi dhe ndonjëherë e kam kënduar bashkë me këngën se është ajo simfonia e këndshme që ty të tërheq dhe kur është humori që bëhet me dashamirësi dhe me atë dëshirën për të bërë diçka për të qeshur edhe për njerëzit, ku ti mund të qeshësh me veten për mua është shumë ok. Problemi është që të mos tejkalohen dhe të mos kalojmë në atë aspektin ndoshta në konotacionet negative.