Kryetarja e Komisionit të Ligjeve, Klotilda Bushka ka deklaruar në mbledhjen e komisionit se projektligji për hapjen e dosjeve të ish-sigurimit të shtetit, është një çështje kombëtare, pasi ka njerëz që kanë vuajtur nga sistemi komunist.
Gjithashtu ajo theksoi se ka disa personazhe që dhe pse mund të kenë pasur një certifikatë pastërtie të mëparshme, nuk rezultojnë të jenë të tillë si rezultat i dokumenteve të reja që dalin në dritë.
“Pavarësisht fakteve të tjera që mund të dalin në dritë që përmbysin deklaratat e mëparshme si ish komisionet Bezhani apo Mezini, duke pasur ndalim në ligj, mungon kompetenca lëndore e shqyrtimit të akteve. Autoriteti nuk ka dot mundësinë të bëjë shqyrtim aktesh se nëse do e bënte do ishim në kushtet e pavlefshmërisë absolute të një akti administrativ. Nisur nga shpeshtësia e informacioneve të cilat rrëzojnë herë pas herë deklarata të mëparshme pastërtie ka lindur e nevojshme që kjo pengesë ligjore të evitohet për arsyen e parë që në kuadër të transparencës dhe të drejtës të informimit, duhet që ligjvënësi ta pajisë autoritetin me të gjitha mundësitë për të realizuar punën e vet. E dyta dhe pse kanë kaluar shumë vite nga ai regjim, ende ka shumë dritëhije, ende ka të pasakta informacione, ende ka të vërteta që rrëzohen dhe opinioni do duhet të informohet në mënyrë profesioniste, të vërtetë, mbi atë që ndodh për personazhe të ndryshëm që dhe pse mund të kenë pasur një certifikatë pastërie të mëparshme, nuk rezultojnë të jenë të tillë si rezultat i dokumenteve të reja që dalin në dritë.
Kjo është një çështje që është e natyrës kombëtare, një çështje që do duhet ti shërbejë të vërtetës, që të ketë një pajtim social, që njerëzit që kanë vuajtur në atë regjim e ata që nuk kanë vuajtur të dinë çfarë historish, çfarë të vërtetash ka rreth individëve të caktuar se kur nuk e zbulojmë të vërtetën si është, shanset janë që historitë e këqija përsëriten. Kam dëgjuar shpesh që thonë pse sot, asnjëherë nuk është vonë në shërbim të të vërtetës”, tha Bushka.