Pas akuzave se lideri opozitar, Alexei Navalny, kundërshtari i Vladimir Putin, është në gjendje të rëndë shëndetësore dhe po i mohohet kujdesi mjekësor, një stacion televiziv, pro Kremlinit ka publikuar video nga burgu. Në ato pamje, pretendohet që është Navalny teksa po shëtit në ambientet e brendshme, i shoqëruar nga forca të shumta policie.
Këto pamje vijnë si një përgjigje e lajmeve se 44-vjeçari ka hyrë në grevë urie pasi iu refuzua trajtimi mjekësor. Sipas tyre, Navalny po torturohet brenda burgut, ku rojet e zgjojnë 8 herë gjatë natës dhe se nuk po i japin trajtimin e duhur për dhimbjet e shumta të shpinës dhe këmbës. E pikërisht pas këtyre shkrimeve, CCTV nxorri pamjet, ku Navalny shfaqet me kokën qeros, sipas së cilit janë filmuar në 26 mars.
Navalny është arrestuar më 17 janar, pasi ka arritur në Rusi pas një qëndrimi të gjatë në Gjermani ku kishte qëndruar për t’u shëruar nga helmimi, për të cilin ka fajësuar hapur Vladimir Putin. Gjykata ruse shpalli opozitarin Alexei Navalny fajtor për shkeljen e dënimit me kusht. Ai është dënuar me 3 vite e gjysmë heqje lirie, por do të duhet të kalojë 2 vjet e tetë muaj në qeli, pasi ka kryer më parë 10 muaj në arrest shtëpie.