Etiketohet si kreu i “Mafias së burgjeve”, vijojnë hetimet për Klodian Lekocaj

 

Klodian Lekocaj, krimineli famëkeq shqiptar që thuhet se qëndron pas disa vrasjeve në Shqipëri e Greqi, është vënë sërish në shënjestër të mediave greke.

Mediat helene raportojnë se policia greke po heton në fshehtësi të madhe në lidhje me aktivitetin “multidimensional” të të burgosurit shqiptar në burgjet e Agia Chania, Lekocaj, i cili vuan dënimin me burgim të përjetshëm për bashkëpunim në vrasjen e avokatit të njohur Mihalis Zafiropoulos në tetor 2017, ndërsa ka kryer një sërë veprash penale, pasi dyshohet se ka urdhëruar vrasje nga burgu apo dhe çështje që lidhen me trafikun e drogës.

Kujtojmë se në orët e para të së premtes së kaluar u krye një bastisje nga Drejtoria e Sigurisë së Atikës – Reparti i Vrasjeve dhe Zhvatjes, në bashkëpunim me Sigurimin e Chania dhe EKAM-in e Heraklionit, me asistencën e një qeni zbulues droge. Sipas informacioneve, bastisja dhe kontrolli në qendrën e paraburgimit në Chania, ku po vuajnë dënimin rreth 15 të burgosur shqiptarë, u zhvillua pak ditë pas vrasjes së dy shqiptarëve, Kreshnik Çerçizaj dhe Armando Ogranaja në një kafene në Nea Smyrni në Athinë.

Policia po heton mundësinë që Lekocaj të ketë urdhëruar ekzekutimin e 41-vjeçarit Cerçizaj, pasi kanë pasur mosmarrëveshje në tregtinë e drogës. Po ashtu mësohet se janë kontrolluar gjithsej 6 qeli të burgosurish. Klodian Lekocaj, 46 vjeç, një personazh kontrovers është kthyer në qendër të vëmendjes vitet e fundit për shkak të etiketimit nga media greke si kreu i së ashtëquajturës “Mafia e Burgjeve”.

Se sa realisht ai është i tillë, kjo nuk dihet, pasi vetë ai në daljet publike në media e konsideron veten “të varfër”, “të pafajshëm”, “të përdorur” ndërkohë që faktet, dëshmitë dhe përgjimet që disponon policia greke të çojnë drejt mendimit se realisht Lekocaj ka pasur dhe ka ende një rol të rëndësishëm në botën e nëndheshme të grupeve kriminale shqiptare dhe greke.

Pak ditë më parë forcat speciale të policisë EKAM i bënë një tjetër “vizitë” në qeli atij, me qellim gjetjen e ndonjë provë për vrasjen enigmatike të 18 majit në Athinë, ku u ekzekutuan Kreshnik Cercizaj dhe Armando Ogranaja. Lekocaj nuk ka se si të jetë ekzekutor se ka vite i burgosur, por shpesh nëpër përgjime e dëshmi ka dalë se çuditshëm ka lidhur fije të grupeve kriminale duke u vënë ose atyre ose vetes në dispozicion vrasës me pagese./ bw

Share This Article
Leave a comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *