Shefi i Misionit të EULEX-it (EULEX) Lars-Gunnar Wigemark ka njoftuar më 20 dhjetor se ky mision i është përgjigjur pozitivisht kërkesës së policisë së Kosovës për furnizim me ushqim dhe veshmbathje për policët e Kosovës në pikën kufitare Jarinja.
“Kam kënaqësinë t’ju informoj se me kërkesë të Policisë së Kosovës, EULEX-i ka dorëzuar furnizimet bazë, përfshirë ushqimin, veshmbathjen dhe produktet higjienike, oficerëve të Policisë së Kosovës në pikën kufitare Rudnica/Jarinje më 17 dhjetor”, ka shkruar Vigermark në Twitter. .
Më herët të njëjtën ditë, Policia e Kosovës (PK) njoftoi se nëntë pjesëtarë të saj janë transportuar nga pikat kufitare në veri të vendit në jug të Kosovës falë bashkëpunimit me misionin e KFOR-it.
Pjesëtarët e PK-së në vendkalimin Jarinje dhe stacionin policor në Leposaviq janë bllokuar prej 11 ditësh nga barrikadat që janë vendosur në fshatin Rudare të komunës së Zveçanit.
Serbët lokalë në veri të Kosovës për të dytën javë me radhë bllokojnë rrugët që çojnë në vendkalimin Jarinje dhe Bërnjak.
Barrikadat u ngritën pasi autoritetet e Kosovës arrestuan Dejan Pantiq, një ish-anëtar i PK-së me kombësi serbe nga veriu i Kosovës, me dyshimin se ishte i përfshirë në një sulm ndaj zyrtarëve të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve.
Autoritetet e Kosovës u përpoqën të organizojnë zgjedhje lokale në veri të Kosovës si kundërpërgjigje ndaj vendimit të përfaqësuesve të serbëve atje për t’u larguar nga institucionet e Kosovës.
Me sugjerimin e BE-së dhe SHBA-së, zgjedhjet u shtynë për në pranverën e vitit të ardhshëm.
Serbët vendas janë larguar nga institucionet e Kosovës për shkak të vendimit të Qeverisë në Prishtinë për ri-regjistrimin e targave të veturave që Serbia u ka lëshuar kosovarëve.