Shqipëria e futbollit u njoh dje me kundërshtarët që do të ketë në eliminatoret e Kampionatit Europian 2024, që do të zhvillohen në Gjermani. Shorti e pozicionoi kombëtaren kuqezi në Grupin E me Poloninë, Republikën Çeke, Ishujt Faroe dhe Moldavinë.
Sakaq, UEFA ka përcaktuar edhe kalendarin e ndeshjeve për Grupin E duke zbardhur kështu edhe rrugën e Shqipërisë në këtë aventurë në kompeticionin më të rëndësishëm kontinental për kombëtaret. Shqipëria do të nisë eliminatoret në transfertë me duelin ndaj Polonisë që do të luhet më datën 27 mars 2023. Kuqezinjtë rikthehen në aksion tre muaj më pas teksa më 17 qershor do të presin në shtëpi Moldavinë dhe tre ditë më pas sfidojnë në transfertë Ishujt Faroe. Në shtator Shqipëria do të ketë dy përballje nga më të rëndësishmet ndaj dy rivalëve direktë për betejën e kualifikimit. Më 7 shtator, kombëtarja sfidon Republikën Çeke po në transfertë dhe më 10 shtator pret Poloninë në shtëpi. Më 12 tetor, përfaqësuesja shqiptare do të presë Republikën Çeke në një tjetër duel delikat, për të mbyllur eliminatoret në muajin nëntor me dy ndeshjet, Moldavi-Shqipëri (17 nëntor) dhe Shqipëri – Ishujt Faroe (20 nëntor).
Ndërkaq, duke qenë se Shqipëria është shortuar në një grup me 5 skuadra do të ketë tetë ndeshje zyrtare dhe mund të shfrytëzojë kalendarin e UEFA-s ka për të zhvilluar të paktën dy ndeshje miqësore gjatë vitit të ardhshëm.
Më poshtë edhe kalendari i plotë i Shqipërisë në Grupin E të kualifikueseve.