Kursi i këmbimit të euros me lekun po prek rekorde të reja në rënie gjatë kësaj jave.
Sipas kursit zyrtar të këmbimit të Bankës së Shqipërisë, euro u këmbye të martën me 110.19 lekë, në rënie me 0.43 pikë të tjera që nga fundi i javës së kaluar. Rënia vjetore e kursit të këmbimit të euros ka arritur tashmë në pothuajse 9%.
Rënia e euros duket e pandalshme, qysh pa nisur mirë sezoni turistik. Sipas agjentëve të tregut, oferta e monedhës europiane është e lartë. Flukset e larta e hyrëse të monedhës europiane në vitet e fundit e kanë rritur ndjeshëm masën monetare në euro.
Këto flukse mund të shpjegohen me rritjen e fortë të të ardhurave nga turizmi në periudhën pas pandemisë, ecurinë e mirë të eksportit të shërbimeve në përgjithësi dhe një cikël ri të rritjes së remitancave dhe vlerave të larta të investimeve të huaja direkte, ndërsa një element me ndikim në treg ngelen edhe prurjet valutore nga burimet informale.
Depozitat në euro po vazhdojnë rritjen e pandërprerë edhe në muajt e parë të këtij viti. Në fund të prillit, ato arritën në pothuajse 6.5 miliardë euro, në rritje me pothuajse 17% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Për të njëjtën periudhë, rritja vjetore e depozitave në lekë është shumë më e ulët, me vetëm 3.5%.
Në tërësi, treguesi që shpreh ofertën monetare në lekë, agregati monetar M2, po shënon ritme shumë të ulëta të rritjes vjetore, me vetëm 2.4% në fund të muajit prill.
Ngadalësimi i ofertës monetare në lekë ka filluar të shfaqë efektet e shtrëngimit të politikës monetare nga Banka e Shqipërisë dhe rritjes më të ngadaltë të kreditimit, por pjesërisht edhe efektin e politikës konsoliduese fiskale. Deri në fund të muajit prill, buxheti i shtetit ishte në suficit të ndjeshëm, madje në nivele edhe më të larta krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar, me 78% më shumë.
Të gjithë këta faktorë duket se i kanë ndikuar ndjeshëm ekuilibrat e ofertës mes valutave kryesore që përdoren në ekonominë shqiptare. Tashmë që sezoni veror është zyrtarisht në prag, pritshmëritë për rritjen e ofertës së euros dhe forcimit të mëtejshëm të lekut po bëhen edhe më të larta.
Mbiçmimi i paprecedent i monedhës vendase i bën më të lira importet, megjithëse deri tani një efekt i tillë nuk po përkthehet në ulje të çmimeve të mallrave të konsumit që importohen. Megjithatë, në analizat e veta Banka e Shqipërisë vlerëson se në mungesë të mbiçmimit të lekut rritja e çmimeve të konsumit do të kishte qenë më e lartë.
Leku i fortë po ndihmon edhe huamarrësit në valutë të huaj, përfshirë qeverinë shqiptare, bizneset dhe familjet. Efekti i kursit të këmbimit po ul ndjeshëm borxhin publik dhe vlerën mujore të këstit të kredisë në euro për të gjitha subjektet me të ardhura në lekë.
Nga ana tjetër, rënia e euros po godet bizneset eksportuese të mallrave dhe shërbimeve, që për efekt të kursit, kanë pësuar një rënie vjetore të të ardhurave me afërsisht 9%.
Forcimi i lekut po dëmton gjithashtu edhe segmentin e brishtë të familjeve të varura nga remitancat dhe mund të bëhet një faktor që do të nxisë rritjen e flukseve të tyre nga emigrantët, për të ruajtur fuqinë blerëse të familjeve të tyre, ndërkohë që leku forcohet. /Monitor/