Euro në rënie të lirë, “rrokulliset” pranë kufirit të 108 lekëve

Kursi i këmbimit të euros me lekun e ka nisur edhe këtë javë në rënie të shpejtë dhe tashmë ka arritur pranë kufirit të 108 lekëve.

Sipas kursit zyrtar të këmbimit të Bankës së Shqipërisë, monedha europiane u këmbye sot me 108.18 lekë, duke prekur një minimum të ri historik. Kursi i euros ka pësuar rënie me 5.3% që nga fillimi i këtij viti dhe me 10% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.

Agjentët e tregut të këmbimit valutor e shpjegojnë rënien e euros me një efekt gjithmonë e më të fortë të sezonit turistik. Pritshmëritë janë që këtë vit hyrjet e turistëve të huaj të shënojnë rekorde të reja historike dhe me bashkë me ta edhe flukset hyrëse të monedhës europiane.

Sipas ekspertëve, një lloj ndikimi në këtë situatë ndoshta po jep edhe efekti psikologjik. Mbështetur në të dhënat historike, tendenca rënëse e euros pritet të vazhdojë gjatë verës dhe efekti sezonal mund të arrijë pikën kulmore në fillim të muajit gusht. Kjo pritshmëri mund të shtyjë nga njëra anë për të shitur euro para zhvlerësimit të mëtejshëm të monedhës europiane dhe nga ana tjetër në pritje për të blerë euro, kur kursi të ketë rënë edhe më shumë.


Share This Article
Leave a comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *