Kursi i këmbimit të Euros me Lekun theu sot një barrierë të re në rënie. Sipas kursit zyrtar të këmbimit të Bankës së Shqipërisë, Euro ra për herë të parë në historinë e vet poshtë nivelit të 117 Lekëve dhe u këmbye me 116.97 Lekë.
Në këtë periudhë të vitit, mbiçmimi Lekut ishte i pritshëm, për shkak të elementit të zakonshëm sezonal, të lidhur sidomos me turizmin. Kulmi i sezonit turistik shoqërohet edhe me një rritje të prurjeve të Euros në ekonominë shqiptare, duke ndikuar në zhvlerësimin e monedhës europiane ndaj Lekut. Por, këtë vit efekti sezonal nisi mbi një bazë edhe më të ulët të kursit Euro-Lek, duke thyer ditë pas dite rekorde të reja në rënie. Krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë, kursi i këmbimit Euro-Lek ka rënë me 4.5%. Agjentët e këmbimit valutor e kanë shpjeguar forcimin e pazakontë të Lekut që prej fundit të vitit të kaluar me rritjen e shpejtë të turizmit, eksporteve dhe remitancave pas pandemisë, që kanë sjellë përmirësimin e Bilancit të Pagesave (sidomos në tremujorin I 20222), por edhe me prurjet e larta nga aktivitetet informale ose kriminale.
Leku i fortë në një periudhë inflacioni të lartë ndihmon në amortizimin e pjesshëm të rritjes së çmimeve nga tregjet e huaja. Duke qenë se Shqipëria importon mallra dhe shërbime kryesisht në Euro, forcimi i Lekut e ka zbutur pjesërisht rritjen e çmimeve të tyre. Sipas analizave të Bankës së Shqipërisë, inflacioni me siguri do të kishte qenë më i lartë, në mungesë të forcimit të Lekut ndaj Euros. Zhvlerësimi i Euros ndikon pozitivisht edhe importet e shërbimeve dhe sidomos turizmin e shqiptarëve jashtë vendit.
Por, nga ana tjetër, rënia e Euros ka një impakt negativ në sektorët eksportues të ekonomisë dhe sidomos në sektorin e fasonerisë, sepse tkurr të ardhurat e tyre, të konvertuara në Lekë.
Mbiçmimi i Lekut ka ndikime të konsiderueshme edhe në bilancet e sektorit financiar, duke ulur vlerën ekuivalente të aktiveve dhe pasiveve në monedhën europiane. Kjo nënkupton një ngadalësim në ritmet e rritjes së kredive dhe depozitave në sistemin bankar. Huamarrësit në valutë me ta ardhura në lekë janë të favorizuar, sepse po e blejnë më lirë valutën për të shlyer këstet e kredive, ndërkohë që individët me kursime në Euro po pësojnë rënie të vlerës së tyre, të shprehur në Lekë.
Leku fitoi ndjeshëm terren sot edhe në kursin e këmbimit me Dollarin Amerikan. Monedha amerikane zbriti në nivelin e 115.28 Lekëve, në rënie me 1.44 pikë në raport me vlerat e fundi të javës së kaluar. Kursi mes Dollarit dhe lekut reflekton në masë pak a shumë proporcionale lëvizjet e kursit të këmbimit mes Dollarit dhe Euros. Në pjesën e parë të Korrikut, Dollari arriti për herë të parë në paritetin në kursin e këmbimit me Euron. Madje, në disa momente Euro ra edhe poshtë vlerës së 1 Dollari Amerikan. Kjo u reflektua në mbiçmimin e Dollarit ndaj Lekut deri në nivelin e 117.51 lekëve, niveli më i lartë qysh prej vitit 2017.
Në vazhdim, Euro ka rifituar lehtë terren. Sot monedha europiane këmbëhej afërsisht me 1.02 Dollarë. Kjo ka bërë që edhe kursi USD-LEK të pësojë një korrektim të lehtë në ulje. Megjithëse Dollari ka një peshë më të ulët në këmbimet tregtare të Shqipërisë, kursi i monedhës amerikane ngelet i rëndësishëm në raport me tregtimin e lëndëve të para, që në përgjithësi kuotohen në këtë monedhë. Lëvizjet e kursit të USD impaktojnë importet dhe eksportet e këtyre produkteve dhe sidomos çmimet e shitjes së karburantit në vend./ Monitor