Euro vazhdon rënien! Shkak, valuta e padeklaruar në treg dhe shtimi i turistëve

Monedha e përbashkët ka shënuar rënie të vazhdueshme në tregun e brendshëm gjatë ditëve të fundit.

Të premten, një euro u këmbye me 122.19 lekë, duke shënuar një tjetër rekord që nga shkurti i vitit 2020, përpara se të fillonte kriza pandemike. Gjatë javës së fundit euro ka humbur 0.3 lekë. Sipas aktorëve të tregut rënia e euros lidhet me tre arsye:

-Së pari nga hyrjet e larta informale të valutës, që kanë krijuar shumë ofertë në treg, ndërkohë që euro nuk po tërhiqet. Edhe raportimet e policisë vazhdimisht flasin për persona që kapen me valutë të padeklaruar gjatë hyrjes në kufi.

-Së dyti, kjo tendencë është përforcuar dhe nga efektet sezonale, si rrjedhojë e shtimit të turistëve. INSTAT raportoi se në qershor, hyrjet e shtetasve të huaj po i afroheshin niveleve të pandemisë. Në qershor në vend hynë 604 mijë shtetas të huaj. Në krahasim me të njëjtin muaj të 2020-s, kur vendi ishte në pandemi, shifra është 3.4 herë më e lartë. Ndërsa në raport me 2019-n, hyrjet e shtetasve janë vetëm 4% më të ulëta.

-Së treti, edhe në bursat ndërkombëtare monedha e përbashkët ka qenë e dobët. Sot në bursa, euro këmbehej me 1.17 dollarë, niveli më i ulët që nga muaji prill. Dollari është forcuar ditët e fundit ndaj euros pas sinjaleve për një ecuri pozitive të punësimit në SHBA, që tregojnë se ekonomia më e madhe në botë po vijon rikuperimin pavarësisht pandemisë.

Gjatë gushtit sezonalisht euro është e dobët në tregun e brendshëm, pasi efektet sezonale përforcohen me ardhjen e emigrantëve.

Gjatë këtij viti (deri në 23 korrik), euro është këmbyer mesatarisht me 123.1 lekë. Për të njëjtën periudhë të një viti më parë, mesatarja e monedhës së përbashkët ishte 123.7 lekë, për shkak të rritjes së fortë të monedhës së përbashkët ne fillim të pandemisë, ku euro arriti deri në 130 lekë për disa ditë në fund të marsit, pas bllokimit të përkohshëm të fluturimeve.

Më pas euro ka qenë e qëndrueshme në nivelet e rreth 123 lekëve.

Burimi: Banka e Shqiperise
Burimi: Banka e Shqiperise
/Burmi: Monitor.al/

Share This Article
Leave a comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *