Piero Fassino dhe Ian Liddell-Grainger, raportues për Serbinë në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Evropës, u bënë thirrje autoriteteve serbe që të ndërmarrin veprime të qarta kundër “madhërimit të kriminelëve të dënuar të luftës dhe të largojnë, pa vonesë, një mural në Beograd kushtuar Ratko Mladiçit, i dënuar për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit”.
Në një komunikatë të përbashkët, ata u shprehën “të tronditur nga dështimi i autoriteteve – pavarësisht një vendimi të policisë komunale – për të hequr atë mural të vendosur në mënyrë të paligjshme dhe që Nisma e Rinjve për të Drejtat e Njeriut (YIHR), fituese e çmimit Václav Havel, u pengua të zhvillojë një demonstratë kundër muralit me 9 nëntor 2021, ndërsa ministria e Brendshme ju referuar ‘shkaqeve të sigurisë’”.
Me 9 nëntor, policia në Beograd arrestoi dy gra që hodhën vezë mbi një mural kushtuar të dënuarit për krime lufte dhe gjenocid, Ratko Mladiç, ndërsa më herët kishte ndaluar përpjekjet e grupeve për të drejtat e njeriut që të heqin muralin.
“Këto ngjarje na kujtojnë nevojën për të luftuar pa mëdyshje kundër glorifikimit të kriminelëve të dënuar të luftës. Akte të tilla dëmtojnë bashkëpunimin rajonal dhe pengojnë procesin e integrimit evropian të cilin e synon Serbia.
Një shoqëri demokratike nuk mund të jetojë duke mohuar krimet e luftës dhe në një kulturë të urrejtjes dhe mosndëshkimit”,- thuhet në komunikatën e raportuesve duke u bërë thirrje autoriteteve serbe të heqin pa vonesë muralet që lavdërojnë kriminelët e luftës.
Përplasjet dhe debatet rreth muralit, nxitën reagime të zyrtarëve amerikanë dhe evropianë.
Në qershor të këtij viti, Gjykatësit e Kombeve të Bashkuara vendosën të lënë në fuqi dënimin me burgim të përjetshëm për ish-komandantin ushtarak të serbëve të Bosnjës, Ratko Mladiç, për gjenocid, krime lufte dhe krime kundër njerëzimit.
/Priza.al/