Shqipëria U-19 ka zhvilluar këtë të shtunë sfidën e fundit ndaj Spanjës, e vlefshme për kualifikueset e Kampionatit Europian 2023 për këtë grupmoshë.
Kuqezinjtë e drejtuar nga Armando Cungu u mundën me rezultatin 5-0 nga iberikët, të cilët kaluan shpejt në avantazh.
Cungu hodhi në fushë këtë formacion: Simoni, Fikaj, Muça (68’ Kote), Hysaj, Kurbasha, Haxhari, Azizi, Muhameti (46’ Tahiri), Toma (61’ Sulejmani), Daka (90’+1’ Cereni), Shkurti (61’ Cungu). Në sfidën e luajtur në Belgjikë, kuqezinjtë e panë shpejt veten në disavantazh, kur në minutën e 8-të, spanjollët gjetën rrjetën me Moran. Dhjetë minuta më vonë, iberikët çojnë shifrat në 2-0 me golin e shënuar nga Gharbi.
Realizimi i dy golave të shpejtë duket se goditi psikologjikisht përfaqësuesen e 19-vjeçarëve që e ka të vështirë të reagojë siç duhet. Në minutën e 29-të, Spanja gjen edhe golin e tretë me anë të Hernadis, pas një topi të dhënë nga Gharbi. Në fraksionin e dytë, trajneri disa ndërrime, duke hedhur në fushë Tahirin, Cungun e Sulejmanin, për Muhametin, Shkurtin e Tomën. Një tjetër goditje për kuqezinjtë vjen në minutën e 74-t, me Martinez që realizon golin e katërt ndërsa goditja përfundimtare për Shqipërinë vjen në minutën e 82-të me Barberan që vulos sfidën në rezultatin 5-0.
Kjo ishte ndeshja e dytë e Shqipërisë U-19 në këtë eliminatore, teksa ndeshjen e parë u mundën nga Belgjika me rezultatin 3-1.