Moment paniku në Rehoboth Beach, Delaware, ku presidenti amerikan Joe Biden dhe zonja e parë u evakuuan për pak kohë nga rezidenca e tyre pasi një aeroplan i vogël privat hyri aksidentalisht në hapësirën ajrore të kufizuar mbi shtëpi.
Kjo është bërë e ditur nga Shërbimi Sekret. Shtëpia e Bardhë thotë se nuk ka pasur asnjë kërcënim për Bidenin apo familjen e tij dhe se janë marrë masa paraprake.
Pasi u vlerësua situata, Presidenti Biden dhe gruaja e tij, Jill, u kthyen në shtëpinë e tyre në Rehoboth Beach.
Shërbimi Sekret tha se do të intervistonte pilotin, i cili, sipas një hetimi paraprak, nuk ishte në kanalin e duhur të radios dhe nuk po ndiqte udhëzimet e publikuara të fluturimit.
Siç është praktikë standarde për udhëtimet presidenciale jashtë Uashingtonit, Administrata Federale e Aviacionit publikoi kufizimet e fluturimit në fillim të kësaj jave përpara vizitës së Presidentit Biden në qytetin e plazhit. Kufizimet përfshijnë një zonë ndalim-fluturimi me rreze 10 milje të përfshirë me një zonë të kufizuar prej 30 miljesh.
Një reporter i CBS Neës tha në Twitter se ai pa automobilin e Presidentit Biden në një stacion zjarrfikës në Rehoboth Beach. Grupi i gazetarëve që udhëtonin me presidentin nuk ishte pjesë e autokolonës.
Rregulloret federale kërkojnë që pilotët të kontrollojnë për kufizimet e fluturimit përgjatë rrugës së tyre përpara se të nisen. Megjithatë, shkeljet aksidentale të hapësirës ajrore, veçanërisht rreth zonave të përkohshme të kufizuara, janë të zakonshme.
Avionët ushtarakë amerikanë dhe helikopterët e Rojës Bregdetare përdoren shpesh për të kapur çdo aeroplan që shkel kufizimet e fluturimit rreth presidentit. Avionët e përgjuar devijohen në një fushë ajrore aty pranë, ku ekuipazhet ajrore intervistohen nga forcat e zbatimit të ligjit dhe përballen me dënime të mundshme penale ose civile