Deputeti Alqi Bllako, ka reaguar me anë të një deklarate rreth lajmeve që u shpërndanë pak më parë, në lidhje me kërkesën e SPAK drejtuar Kuvendit, për heqjen e mandatit të deputetit për Alqi Bllakon.
Bllako ka bërë me dije se ky është një lajm i pavërtetë dhe se është njohur vetëm nëpërmjet medias me këtë padi e se nuk ka asnjë kërkesë nga SPAK.
Ai u shpreh se asokohe se nuk ka pasur asnjë rol në procedurat vendimmarrëse për dhënien e konçesionit.
Reagimi i i Alqi Bllakos:
“Jam njohur nëpërmjet medias me padinë e tretë apo të katërt për të njëjtën çështje, e cila rihidhet në treg me qëllimin e vetëm për të prodhuar zhurmë.
Pavarësisht pozicionit që kam mbajtur si Sekretar i Përgjithshëm pranë Ministrisë së Mjedisit, ligji për konçensionet dhe partneritetin publik-privat i ka fare qartë të përcaktuara rolet dhe detyrat e çdo institucioni të përfshirë në proçes apo titullar/anëtar të komisioneve përkatëse.
Duke shprehur besimin se kolegët e çdo institucioni kanë zbatuar rigorozisht ligjin, deklaroj me përgjegjësi të plotë se kam patur zero rol në çdo proçedurë vendimmarrëse për dhënien e këtyre konçesioneve direkt apo indirekt. Në çdo rast, ju përket vetëm organeve të drejtësisë të përcaktojnë nëse ka ose jo shkelje; dhe nëse po, cilët janë personat përgjegjës. Sa i përket atyre që vazhdojnë të hedhin në treg akuza të tilla, mendoj se vetingu i politikanëve do t’i jepte njëherë e përgjithmonë fund kësaj tallje publike”, tha Bllako asokohe.
/Priza.al/