Partia Demokratike ka kallëzuar në Strukturën e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, kreun e Bashkisë Mallakastër, Qerim Ismailaj. Ky i fundit u la në detyrë nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve pavarësisht shkeljes së bërë në formularin e dekriminalizimit.
Ndërkohë, me anë të një kallëzimi, sekretari i Përgjithshëm i PD Gazment Bardhi, i kërkon SPAK të marrë nën hetim Kryebashkiakun e Mallakastrës për kryerjen e veprës penale të “Falsifikimi i vulave, i stampave ose i formularëve”, ku parashikohet një dënim deri në 4 vjet burgim.
Partia Demokratike kërkon nga SPAK që të fillojë procedimin penal ndaj shtetasit Qerim Ismail Ismailaj për kryerjen e veprës penale “Falsifikim i vulave, stampave ose formularëve”, si dhe të marrë ndaj tij masën e ndalimin “Pezullim i ushtrimit të një detyre a shërbimi publik”.
Qerim Ismailaj ishte ndëshkuar me 3 vite burg në mungesë në Greqi për veprën penale “Konflikti dhe përleshjes”, por në formularin e dekriminalizimit kishte gënjyer dhe nuk e kishte deklaruar këtë dënim. Ismailaj u denoncua nga Partia Demokratike dhe më pas prokuroria nisi hetimet. Ismailaj doli kryebashkiak nga zgjedhjet e 30 qershorit 2019 ku garoi vetëm vetë.
/Priza.al/