Një tjetër arrestim është kryer në Bashkinë e Himarës, në kuadër të operacionit për kapjen e personave bashkëpunues që merreshin me falsifikimin e dokumenteve të tokave në Dhërmi. Në pranga ka përfunduar inxhineri i Bashkisë së Himarës, Elton Marko. Prokuroria e Vlorës ka nxjerrë këtë urdhër ndalimi për Markon i cili është punonjës i Bashkisë Himarë dhe punon si inxhinier topograf pranë këtij institucion, i cili është marrë nën hetim për falsifikim dhe pastrim parash nga Prokuroria.
Bardhyl Gjika ish-shefi i zyrës që mbante dokumentat e pronësisë mbi tokën në këshillin e qarkut Vlorë, ka nxjerrë nga arkivat e kadastrës së këshillit të qarkut, dokumentat e marrjes së pronësisë, për të njohur të tij në fshatrat e Himarës dhe Dhërmiut. Këto dokumenta më pas i ka falsifikuar dhe në arkivë vendosën dokumentat e ndryshuara duke shtuar sipërfaqe fiktive toke. Më pas këto dokumenta nxireshin në mënyrë zyrtare për t’u paraqitur në hipotekë.
Në këtë mënyrë janë përfituar sipërfaqe të mëdha toke bujqësore dhe kullota në breg të detit. Zyrën ku falsifikoheshin dokumentat më parë e ka drejtuar vetë Klodian Troci për 5 muaj, dhe Bardhyl Gjika ishte në rolin e specialistit. Më pas Troci largohet prej andej duke i lënë vendin e drejtorit bashkëpunëtorit të tij.
Bashkëpunëtorët në krim tentuan të fshehin gjurmët duke sajuar një vjedhje të arkivës në zyrën ku punonte vete Bardhyl Gjika, mirëpo e gjithë skema e tyre u zbulua.
/Burimi: TCH/