Falsifikuan dhe vodhën dokumentat e pronave në Dhërmi, dalin sot para gjykatës 3 të arrestuarit

Drejtori i administrimit të mbrojtjes së tokës në Vlorë, Bardhyl Gjika, specialisti i kësaj drejtorie, Kreshnik Mino dhe një 51-vjeçar Spiro Duni do të paraqiten sot para gjykatës për të marrë masën e sigurisë, pasi mbi to rëndon akuza për falsifikim të dokumentave për pronat në Dhërmi dhe se kanë inskenuar vjedhjen e dosjeve në zyrat e Këshillit të Qarkut Vlorë.

Ata akuzohen për “Shpërdorimi i detyrës nga persona që ushtrojnë funksione publike” dhe “Falsifikimi i vulave, stampave ose formularëve”, e kryer në bashkëpunim.

Vetëm para pak ditësh në zyrat e Këshillit të qarkut Vlorë u vodhën dy dosje pronash në Dhërmi. Nga kjo më pas rezultoi se ngjarja ishte inskenuar nga Drejtori i administrimit e mbrojtjes së tokës, Bardhyl Gjika, specialisti i kësaj drejtorie, Kreshnik Mino dhe një 51-vjeçar i identifikuar si Spiro Duni.

Këta persona kishin bashkëpunuar me njëri-tjetrin në falsifikimin e dokumenteve të pronësisë së një toke në Dhërmi, por më pas nga frika për të mos u kapur, inskenuan grabitjen e dosjeve.

Burime nga Policia sqaruan dhe një taçi dhe formulari 6 i regjistrimit të një trualli në bregdet në Dhërmi ishin falsifikuar në favor të Spiro Dunit.

Dyshohet se çështja pronësore e familjes Duni po hetohej pasi ka pasur pretendime për falsifikime dhe dokumentet origjinale janë kërkuar të vihen në dispozicion të organeve të drejtësisë, e për të mos u zbuluar falsifikimi funksionarët e këshillit të Qarkut, kanë sajuar vjedhjen e tyre. Këto dokumente janë origjinale vetëm në këtë zyrë dhe nuk janë administruar nga Agjencia Shtetërore e Kadastrës.

/Priza.al/

Share This Article
Leave a comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *