Familjet me arsim të lartë mbeten në “vend”/ Rrisin konsumin mujor me vetëm 4% në 14 vite

Shkollimi është një element shumë thelbësor i cili pasqyrohet në mirëqenien e një individi. Këtë e reflektojnë edhe shifrat nga “Instituti i Statistikave” mbi shpenzimet sipas arsimit të kryefamiljarit. Sipas të dhënave, familjet të cilat kanë kryefamiljarin me arsim të lartë i kanë shpenzimet e konsumit më të larta se familjet me kryefamiljar arsimi i të cilit është 8/9 vjeçar apo i mesëm.

Megjithatë, pavarësisht këtyre shifrave ajo që bie në sy referuar të dhënave të INSTAT është se shpenzimet e familjeve të cilat kanë kryefamiljarin më arsim të lartë kanë shënuar rritjen më të ulët të shpenzimeve që nga viti 2007-të deri në vitin 2021, me vetëm 4.1%. Gjatë vitit 2007-të shpenzimet për konsum nga këto familje llogariteshin në 104,877 lekë në muaj mesatarisht, ndërkohë që gjatë vitit 2021 ky tregues llogaritet në 109,207 lekë në muaj. Nga analiza rezulton se niveli i shpenzimeve për konsum nga familjet në të cilat kryefamiljari ka arsim 8/9 vjeçar ka shënuar rritjen më të madhe nga viti 2007-të deri në vitin 2021 me rreth 24.1%. Për ta konkretizuar në vlera absolute gjatë vitit 2007-të rezulton se shpenzimet për konsum të familjeve që kanë kryefamiljarin me arsim 8/9 vjeçar kanë qenë në 60,501 lekë, ndërkohë gjatë vitit 2021 shpenzimet janë në nivelin e 75,108 lekë në muaj mesatarisht.

Nga ana tjetër, familjet të cilat kanë kryefamiljarin me arsim të mesëm të përgjithshëm ose profesional shpenzimet e tyre janë rritur në harkun kohor të 14 viteve me 14.8%. Po nëse flasim për familjet me kryfamiljar të paarsimuar? Të dhënat nga “Instituti i Statistikave, të analizuara flasin për një rritje deri 8.9%, pra ndjeshëm më e lartë se rritja e konsumit për familjet me kryefamiljar të arsimit të lartë. Në total shpenzimet mesatare për konsum nga viti 2007-të deri në vitin 2021 janë rritur me 21.9%. Shifrat për vitin 2021 tregojnë ndër të tjera se familjet të cilat e kanë kryefamiljarin me arsim të lartë shpenzojnë rreth 53,597 lekë në muaj më shumë se familjet me kryefamiljar i cili nuk ka asnjë nivel arsimi të përfunduar./skan

Share This Article
Leave a comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *