“Far west” mes barinjve në Dropull, bashkia dhe policia bëjnë sehir

Fiks Fare denoncoi mbrëmjen e së mërkurës denoncimet e shumta të banorëve të fshatit Hllomo në Dropull, të cilët ankohen se policia dhe bashkia nuk kanë marrë asnjë masë për denoncimet e shumta të tyre për kërcënime. Disa banorë pohuan se janë kërcënuar nga një person i quajtur Ylli Muçobega, i cili është çoban dhe qëndron në afërsi të fshatit.

Sipas tyre, kanë bërë kallëzime në Policinë e Gjirokastrës, si dhe te inspektori i zonës z.Haxhi Leskaj. Por, deri më tani nuk është marrë asnjë masë.

“Ky çoban nuk ka asnjë sipërfaqe me qira, as nga ne dhe as nga Bashkia Deopull, por i ka zaptuar. Na ka dalë me çifte dhe me sopata. Jemi të moshuar dhe kemi frikë” pohojnë banorët. Më tej pohojnë se çobani është problematik, pasi ka qenë edhe në një fshat tjetër por banorët e kanë përzënë për të njëjta arsye. Ata thonë se kullotat ia kanë dhënë me qira një çobani tjetër, Bilbil Hoxhaj, i cili ka 30 vjet në atë fshat. Ndërkohë, këto kullota përdoren edhe nga çobani tjetër Muçobega.

Fiks Fare bisedoi edhe me çobanin Bilbil Hoxhaj, i cili pohon se në këtë fshat ka 30 vjet dhe përdor kullotat verore. Qëndron në këtë fshat 6 muaj dhe 6 muaj në Himarë. Sipas tij, ai ka 500 krerë dhi dhe ka marrë me qira 6 mujore kullotat. Ka dokumente nga bashkia Dropull për qindra hektarë, ndërsa ka edhe dokumente nga banorët për tokën që kanë me tapi banorët. Paguan rreth 1.5 mln lekë të vjetra në vit, ndërkohë në kullotat që ai ka në përdorim ka bagëtitë edhe z.Muçobega. Thotë se janë konfliktuar disa herë me këtë familje, ndërsa konflikti ende nuk është zgjidhur. Thotë se bashkia si ka dhënë me qira, por ai i ka zaptuar dhe i mban te kullotat e tij.

Pas ankesës, gazetarët telefonojmë inspektorin e policisë së zonës, Haxhi Leskaj, ku e pyesin nëse i ka referuar apo jo në prokurori këto kërcënime dhe ngjarje. Leskaj thotë se është i inspektor, por nuk lejohet të japë informacion dhe këtë informacion duhet ta marrim te Posta e Policisë në Dropull dhe te Policia e Gjirokastrës. Gazetarët e pyesim disa herë, për këtë konflikt nëse ka marrë apo jo masa, por sërish inspektori nuk jep shpjegime. Pas kësaj përgjigje, Fiks Fare iu drejtua me një kërkesë për informacion Policisë së Gjirokastrës. Disa ditë më vonë na erdhi një përgjigje se janë kryer disa referime të materialeve në Prokurorinë e Gjirokastrës. Policia ka radhitur 4 dosje, të datave 19 mars, 28 maj, 26 korrik dhe 17 gusht. Referimet janë bërë ndaj pjesëtarëve të familjes Muçobega me akuzat e kanosjes, ndërsa janë depozituar në prokurori edhe kallëzimet e familjes Hoxha. Por, policia thotë se Prokuroria e Gjirokastrës nuk ka kthyer asnjë dosje për të bërë veprime shtesë. Sipas saj, në të gjitha rastet, personat janë shoqëruar dhe proceduar.

Për më shumë bëhu pjesë e grupit më viral në Facebook, Dosja.al
Fiksi bisedoi edhe me kryetarin e Bashkisë së Dropullit, Dhimitraq Toli. Ai pohoi se është në dijeni të konfliktit, pasi Ylli Muçobega ka qenë në një fshat tjetër dhe është transferuar në këtë fshat. Kryetari thotë se edhe fshati tjetër nuk e donte, por edhe ky fshat Hllomo ku ka shkuar nuk e do më. Sipas tij, pas ankesave të fshatit, ai nuk i ka prerë faturë për kullotat dhe aktualisht ky person nuk ka kontratë me bashkinë e Dropullit. Thotë se janë bërë disa inspektime dhe ka rezultuar se bagëtitë e z.Muçobega qëndronin në kullotat në pronësi të bashkisë Dropull. Ai thotë se Bashkia do t’i bëjë kallëzim penal për zaptim prone, ndërkohë që thotë se bashkia nuk ka forcë ta largojë pasi 1 banor i ka dhënë këtij personi tokën me qira për të qëndruar. Por, toka nuk është as 1 Ha, ku ai duhet të ushqejë mbi 300 kokë dhi dhe dele.

Në të njëjtën ditë që grupi i Fiks Fare udhëtoi në fshatin Hllomo, Bashkia e Dropullit dërgoi një kallëzim penal në polici. Sipas përgjigjes së policisë, në datën 13 shtator 2021 ka bërë kallëzim penal Inxhinieri i Seksionit të Pyjeve dhe Kullotave, në Bashkinë Dropull ndaj shtetasit Y.M.

Ndërkohë, në datën 16 shtator 2021, Policia e Gjirokastrës i ka dërguar materialet në prokurori për veprën penale “vetëgjyqësi”, pas kallëzimit të bërë nga Seksioni i Pyjeve dhe Kullotave. Dhe, vetëm pas interesimit të Fiks Fare në bashki dhe polici, Posta e Policisë i ka dërguar kërkesë Bashkisë Dropull për kullotat në fshatin Hllomo. Megjithatë, policia ia hedh përgjegjësinë prokurorisë, pasi shkruan se “nuk ka bërë asnjë veprim të mëtejshëm hetimor!”./Top Channel

Share This Article
Leave a comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *