Detaje të reja janë publikuar nga mediat turke lidhur me shtetasin turk Faruk Fatih Özer, i cili akuzohet për mashtrim me kriptomonedhat.
Mediat e huaja kanë hedhur dritë në lidhje me fshehjen e parave, të cilat ai i ka vjedhur përmes mashtrimit. Raportohet se Faruk Fatih Özer, i cili u arratis më paratë e rreth 390 mijë klientëve, 13 milionë euro i ka fshehur në Maltë.
Disa media në Turqi kanë raportuar se Özer transferoi asetet me vlerë gjithsej 13.2 milionë euro (253,714,909 lira turke) nga tre llogari të veçanta në kuletat e një ofruesi të shërbimit të aseteve kripto në Maltë.
“Sipas Bordit të Hetimit të Krimit Financiar (MASAK) shumica e aseteve të kriptove në tre llogaritë e veçanta bankare të Özer u transferuan në Maltë, qendra e shkëmbimit të kriptomonedhave”, shkruajnë mediat e huaja, ndërsa vijon: “Ato kuleta kripto, sipas hetimeve, i përkasin Faruk Fatih Özer dhe bashkëpandehurve Cem Uzunoğlu dhe Zuhal Özer.”
Kujtojmë se i riu u arrestua më 30 gusht të këtij viti teksa ishte duke pushuar në plazhin e Himarës. Shtetasi turk, themelues i një platforme online për këmbimin e kriptovalutave, Thodex, mbylli papritur aktivitetin, në prill të vitit të kaluar, pasi kishte grumbulluar një shumë prej 2 miliardë dollarësh nga 391 mijë investitorë. Gjykata vendosi më parë që Faruk Fatih Özer, bosi turk i kriptomonedhave i akuzuar për mashtrim me miliona euro të ekstradohet në Turqi.