Socialistët mbledhin të shtunën Kongresin e tyre zgjedhor, i cili sipas regjisë së Edi Ramës, do të zhvillohet në formatin e një telenovele turke, me disa seri…
Në takimin e së shtunës, do të zgjidhen 156 anëtarët e Asamblesë së Përgjithshme Kombëtare të PS-së, të cilët më pas zgjedhin kryesinë e sekretariatin, bashkë me numrin dy të PS, Sekretarin e Përgjithshëm.
Ka gjasa që zgjedhja e kryesisë të shtyhet për në shtator, por zëra thonë që mund të ndodhë një javë pas kongresit, ku pritet të shpallen edhe ndryshimet që Edi Rama do të bëjë në qeverinë e tij në vjeshtë.
Siç mësohet, ka një ankth të shtuar në mesin e ministrave e disa deputetëve të vjetër, për paralajmërimin që ka bërë Edi Rama se do të largojë 30% të deputetëve aktualë, e do ta rinovojë trupën parlamentare me të rinj.
Rama do të prezantojë në kongres një biçim anketimi, që do t’i çohet bazës por edhe publikut për të bërë një vlerësim për deputetët aktualë dhe për të propozuar profile të deputetëve që duan. Një skemë që u bë edhe në zgjedhjet e 2021, por në fund, Kryeministri zgjodhi ato që deshi vetë.
Ndërkaq, mësohet se edhe këtë herë do të ndiqet një skemë e tillë, por në fund do të vendosë vetë Babloku, përherë. Megjithatë, siç qarkullojnë zërat, në Korçë dhe në Fier pritet të bëhet një spastrim i të gjithë listës, ndërsa në Tiranë pritet të ketë një rrogadë të vogël ku Plarent Ndreca të zëvendësohet me Arbjan Maznikun. Për senatorët, Rama ka vendosur një plan alternativ, por duket se nuk do t’i largojë. Pandeli Majko do të jetë i pari i qarkut të Kukësit, ku siç duket do të qëndrojë gjatë, ndërsa Fatmir Xhafa do të rikandidojë sërish në kryeqytet. Mimi Kodheli pritet të bëjë një rrokadë me Lindita Nikollën në Lezhë.
Kryeparlamentarja, e deleguar në Kamëz, pritet të kandidojë në bashkinë që PS tashmë e kontrollon plotësisht, e kjo u pa edhe nga rezultati i zgjedhjeve të fundit lokale.
Megjithatë, askush nuk di se çfarë mund të ndodhë deri në shtator, por Edi Rama ua ka bërë të qartë, se në zgjedhjet e ardhshme asnjë prej ministrave nuk do të jenë krerë të qarqeve përkatëse. Edhe Niko Peleshit e Belinda Ballukut, u ka thënë se nëse do të duan të mbajnë krerët e qarqeve, do të duhet të lënë qeverinë. Një dilemë e madhe kjo, pasi ministrat janë mësuar të rrisin votat duke përdorur burimet qeveritare, ndërkohë që vendosja e një kreu tjetër, mund të dobësojë pozitat e tyra. Ka shumë gjasa që ministrat të propozojnë njerëzit e tyre për t’i pasur nën kontroll, por Rama mësohet se do të ofrojë pikërisht rivalët e tyre, për të nisur një përplasje.
Babloku nuk jeton dot pa konflikte…
Ndërkaq, të shtunën, Edi Rama pritet të mbajë një fjalim edhe në lidhje me SPAK, e çmimin që do të paguajë PS deri në zgjedhje. Mësohet se nga ana tjetër, do të bëjë të ditur që ata që janë në procese, hetim, apo dyshime për hetim do të largohen përfundimisht nga çdo post drejtues në PS.
Të paktën kështu ka nisur të hapë fjalë, pasi edhe herët e tjera kur ka thënë kështu, ka përdorur kutin e tij për të matur lëshimin e njerëzve në PS. Kështu ndërsa për Saimir Tahirin e Arben Ahmetin i lëshoi përnjëherë, për Olta Xhaçkën dhe Ilir Beqjen i mbajti afër duke u dhënë poste të larta, deri në fund, kur nuk kishte çfarë bënte se zullumi ishte trashur.
Ndaj më shumë se ndonjë zhvillim i pritshëm, si gjithmonë, edhe kongresi i të shtunës do të jetë më shumë fasadë e fjalë në erë. Megjithatë, i pritshëm është fjalimi që pritet të mbajë për SPAK, që më shumë është një kod sjellje me amerikanët, përkatësisht ambasadorin e ri. I cili parashikohet të vijë në ditët e para të gushtit në Tiranë.