Kryeministri Edi Rama është duke zhvilluar një bashkëbisedim, ku do t’i përgjigjet pyetjeve që qytetarët i kanë drejtuar në rrjetin social ‘Facebook’.
I pyetur për fashën 800 KW, Rama tha se qytetarët do e paguajnë energjinë elektrike me çmimin e tregut nëse do tejkalojnë fashën nga 1 tetori deri në dhjetor.
Sakaq shtoi se kjo fashë mjafton për të plotësuar nevojat bazë.
“Nuk dua të bëj polemika me mediat. Është më shumë çfarë zgjedhim të dëgjojmë në një terren ku ka gënjeshtra të mëdha. Gjuha e urrejtjes kërkon shumë furnizim dhe furnizimi kryesor i gjuhës së urrejtjes është shpifja, akuzat e montuara, turravrapi për të asgjësuar karakteret, në pamundësi të asgjësimit të vet personave, sepse nuk jemi në diktaturë apo lufte civile me armë. Por jemi në një situatë lufte civile me gojë dhe kjo është shumë e rëndë. Nuk kam asnjë rrugë tjetër që të bëj përpjekjen time që të mos kontribuoj fare në këtë tymnajë dhe tu referohem të vërtetave. Janë mbi 1 milionë e 90 mijë familje që konsumojnë deri në 800 kËh dhe mbi 40 mijë familje që konsumojnë mbi 800 dhe në periudhën e pikut ky 40 mijë shkon deri në 60 mijë. Vendoseni në shkallë 1 milion me 60 mijë. Kjo është shumë e thjeshtë për njerëzit. Të marrë secili faturën dhe të shohë sa konsumon. 800 + është vendosur me një qëllim, duke marrë parasysh se deri në 800 mund të plotësohen të gjitha nevojat bazë. Ne kemi vendosur dy gjëra që koha do ta tregojë nëse janë kurajo apo ambicie e madhe që do na kushtojë shtrenjtë. Kemi zgjedhur të mbrojmë familjet dhe biznesin e vogël dhe të mos kufizojmë energjinë elektrike. Por për një pjesë të familjeve që konsumojnë më shumë se 800 se kanë më shumë se një palë elektroshtëpiake, më shumë se sa për të ngrohur mjedisin ku rrinë, ne nuk mendojmë që duhet të paguajnë 1 milion e 90 mijë të tjerë. Ky çmim nuk është përgjithmonë, është nga 1 tetori deri në dhjetor dhe në bazë të situatës energjetike të vendit do ta rishikojmë nëse do ta mbajmë apo lëvizim”, tha ai.