Trajneri Edy Reja nën drejtimin e kombëtares ka pasur ulje ngritjet e veta dhe jo gjithçka ka shkuar “vaj”. Italiani është kritikuar jo pak, shpesh për zgjedhjet e bëra dhe mbi të gjitha për skemën e tij të preferuar 3-5-2 që zbeh disa elementë të vyer.
Së fundmi, ai u kritikua edhe për faktin që la Armando Brojën në stol në sfidën ndaj Polonisë, kritika që erdhën nga ish të famshëm si Altin Lala.
Italiani u ul në stolin e kuqezi në një moment të vështirë pasi eksperimentimit të dështuar me Panucci. Që nga 17 prilli 2019, Reja numëron 25 ndeshje me përfaqësuesen shqiptare, ku bilancet janë pozitive, 12 fitore, 4 barazime dhe 9 humbje. Me të në stol, Shqipëria përjetoi një ëndërr të bukur, ku deri përpara sfidës me Polonisë, ishin në garë me kohë të plotë për një vend në fazën “play-off” në botëror.
Duka dhe jo vetëm, pas çdo momenti të vështirë që ka kaluar Kombëtarja me Reja-n në stol, kanë theksuar se objektivi i Shqipërisë është prezenca në “Euro2024”.
Është e qarta se dëshira e Reja-s është të qëndrojë në stolin e Kombëtares edhe për të paktën 2-3 vite, fakt të cilin e shprehu sërish publikisht pas fitores kundër Hungarisë. Përtej dëshirave dhe deklaratave publike, fakt është që mungon firma mbi kontratë, kontratë e cila aktualisht përfundon në qershor 2022.
/Priza.al/