Policia e Tiranës vijon operacionin “Fati i Lojërave”, ku së fundmi ka rënë në pranga një 36-vjeçar.
Shtetasi E.M i cili ushtronte aktivitetin e paligjshëm në fushën e lojërave të fatit nuk iu bind policisë kur këta të fundit i kërkonin dokumentin e identifikimit.
Në cilësinë e provës materiale është sekuestruar një celular që dyshohet se përdorej për ushtrimin e aktivitetit të lojërave të fatit.
Njoftimi:
Tiranë
Vijon operacioni policor i koduar “Fati i lojërave”.
Goditet nga Komisariati i Policisë Nr. 6, një tjetër rast i aktivitetit të kundërligjshëm në fushën e lojërave të fatit.
Arrestohet në flagrancë 37-vjeçari që ushtronte këtë veprimtari, i cili gjatë kontrollit fizik, nuk iu bind urdhrit të punonjësve të Policisë.
Specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Nr. 6, në vijim të punës për evidentimin dhe goditjen e veprimtarisë së kundërligjshme në fushën e lojërave të fatit, kanë evidentuar një rast të ushtrimit të kësaj veprimtarie, nëpërmjet lotarive sportive.
Në përfundim të veprimeve hetimore u arrestua në flagrancë shtetasi:
– E. M., 37 vjeç, për veprat penale “Organizimi i lotarive të palejuara” dhe “Mosbindja ndaj urdhrit të punonjësit të policisë së rendit publik”.
Ky shtetas u kap në flagrancë duke ushtruar aktivitetin e paligjshëm të lojërave të fatit (lotarive sportive), me anë të celularit, në rrugën “Tom Plezha”, dhe gjatë kontrollit nuk i është bindur punonjësve të Policisë, për të treguar dokumentin e identifikimit.
Në cilësinë e provës materiale u sekuestrua një aparat celular që dyshohet se përdorej për ushtrimin e aktivitetit të lojërave të fatit.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë, për veprime të mëtejshme procedurale, për veprat penale “Organizimi i lotarive të palejuara” dhe “Mosbindja ndaj urdhrit të punonjësit të policisë së rendit publik”.