Fatmir Mediu nuk tërhiqet… nuk pranon fajin për Gërdecin! Ja si vepron

Ish-ministri i Mbrojtjes, Fatmir Mediu ka dorëzuar rekursin në Gjykatën e Lartë ku kundërshton vendimin e Apelit të GJKKO për çështjen e Gërdecit. Apeli i GJKKO i hapi rrugë rihetimit dhe rigjykimit të Mediut. Sipas avokatit të ish-ministrit, Ardian Visha vendimi i Apelit është anti-kushtetues.

Mediu akuzohet për shpërdorim detyre në lidhje me tragjedinë e Gërdecit ku nga shpërthimi i punishtes së demontimit të armëve mbetën 26 të vrarë dhe qindra të plagosur.

“Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, në zbatim të vendimit nr. 205, datë 24.09.2021, të Gjykatës së Posaçme të Apelit, pasi ka tërhequr nga Gjykata e Lartë aktet e dosjes penale në ngarkim të z. Fatmir Mediu, ka regjistruar procedim penal për veprat penale: “Shpërdorim i detyrës”, kryer në bashkëpunim, si dhe “shpërdorim i detyrës” në bashkëpunim me subjekt ushtarak, kuadër komandues, të parashikuara nga nenet 248 dhe 25 të Kodit Penal dhe 70/2 e 2 të Kodit Penal Ushtarak, në ngarkim të të pandehurit Fatmir Mediu”, njofton SPAK.

 

Prokuroria e Posaçme kërkoi revokimin e vendimit të pushimit ndaj ish-ministrit të Mbrojtjes, por Gjykata e Lartë ia pasoi Gjykatës së Posaçme çështjen e tij, duke shpallur moskompetencën për shqyrtimin e kërkesës.

 

Gjykata e Posaçme e shkallës së parë vendosi rrëzimin e kërkesës së SPAK për rihapjen e çështjes dhe fajësoi Prokurorinë për mosushtrim të ndjekjes penale për 8 vite ndaj ish-ministrit të Mbrojtjes, ndërsa argumentoi se vepra penale për të cilën ai akuzohet është parashkruar. Mediu e kundërshtoi përmes avokatit të tij vendimin e Apelit të Posaçëm, duke pretenduar ‘cenim të parimit të sigurisë juridike dhe të parimit të gjësë së gjykuar”.

SPAK pritet të hetojë përgjegjësinë e ish-ministrit në ngjarjen tragjike të marsit 2008, ngjarje për të cilën Mediu është akuzuar dy herë për shpërdorim detyre sipas Kodit Penal dhe Kodit Penal Ushtarak, por nuk u gjykua asnjëherë pasi u mbrojt nga imuniteti parlamentar.

/Priza.al/

Share This Article
Leave a comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *