Plot 7 raste me gjyqe të humbura kundër shtetit shqiptar në Gjykatën e Arbitrazhit, e kanë çuar faturën në mbi 110 milionë euro të humbura. Të paktën aq ka njohur shteti shqiptar.
Këto detyrime janë dëmshpërblime që shteti shqiptar duhet t’u japë palëve, kryesisht biznese për çështjet që kanë fituar, por pjesën më të madhe të borxhit, shumën prej 99.9 milionë eurosh, Shqipëria e ka detyrim ndaj biznesmenit italian, Francesco Becchetti.
Në fakt, vendimi i gjykatës ndërkombëtare ka vlerësuar se Shqipëria duhet të paguajë 110 milionë euro për biznesmenin italian, por vlera e njohur dhe raportuar nga Qeveria Shqiptare nuk përfshin kamatën për vonesën e pagesës së dëmit.
Sipas të dhënave të publikuara nga Open Data Albania, ka procese të tjera Arbitrazhi që ende nuk kanë marrë formën përfundimtare apo ende nuk janë njohur zyrtarisht nga shteti ynë.
Nё total detyrime potenciale qё mund tё materializohen nё kosto buxhetore shtesё janё nё vlerёn 300 milion euro. Duke përfshirë këtu mbulimin e kostove për përballjet në Gjykatë, por gjërat mund të shkojnë edhe më keq nёse kёto vendime merren nё favor tё bizneseve me të cilat Shqipëria është përballur.
Nëse përveç kostove, duhet të paguhen edhe dëmet, atëherë vlera totale e detyrimeve do të shkojë në rreth 446 950 959 euro. Njё tjetёr detyrim lind nga konflikti i shtetit shqiptar me ‘Anglo-Adriatic Group Limited’, e cila krijoi në Shqipëri fondin Anglo Adriatika Investment Fund sh.a me qëllim mbledhjen e kuponëve të privatizimit. Edhe pse çështja u fitua nga shteti ynë, kostoja arriti në 1 milionë euro për shpenzimet administrative të Arbitrazhit.
Nga buxheti i Shtetit duhet tё paguhet gjithashtu dhe vlera prej 550 000 Euro pёr konfliktin ndërmjet Ministrisё sё Bujqёsisё dhe Zhvillimit Rural dhe kompanisё Valeria Italia s.r.l, proces i nisur që në vitin 2018 në lidhje me një ndërmarrje të fermave të produkteve bujqësore.
Kompanitë që kanë hedhur në gjyq Shqipërinë dhe kanë fituar, janë:
Familja Beccheti kundёr shtetit shqiptar;
J & P Avax kundër Ministrisë së Transportit;
SAFA shpk kundër Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë;
Valeria s.r.l kundёr Ministrisё e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural;
Anglo-Adriatica Group Limited vs Shqipërisë kundër Ministrisë së Financave; Porti Karpen HFW LLC kundrejt Shqipërisë;
TIA shpk kundrejt Shqipërisë
Analiza e gjyqve të humbura nga OPEN DATA:
Peshёn më tё madhe ndaj kostos totale tё Arbitrazheve, me rreth 91,3% e ka çështja Hydro dhe tё tjerёt kundёr Shqipёrisё – Familja Becchetti. Ky vendim është njohur nga shtetit shqiptar si detyrim që në dokumentin zyrtar “Raporti i Mes Vitit mbi Zbatimin e Buxhetit 2019”, tё publikuar nga Ministria e Financave dhe Ekonomisё. Në llogaritë e tij, shteti shqiptar pretendon të paguajë vetëm 99.9 milion euro, por vendimi i arbitrazhit ka gjykuar 108 milion euro.
Vlera e njohur dhe raportuar nga Qeveria Shqiptare nuk përfshin kamatën për vonesën e pagesës së dëmit. Në këtë vendim parashikohet se për cdo vit vonesë, Qeveria Shqiptare ngarkohet me një kamatë që është normë LIBOR plus 3% interes të përbërë, kamatë që e rrit detyrimin çdo vit me disa milion euro shtesë. Shkak i mosmarrёveshjeve mes palёve është pengesa për realizimit e investimeve nё hidrocentralin e Kalivaçit, Televizionin AgonSet dhe impjantin e trajtimit tё mbetjeve nga kompanitё Hydro s.r.l dhe Costruzioni s.r.l.
Njё tjetёr detyrim lind nga konflikti i shtetit shqiptar me Anglo-Adriatic Group Limited, e cila krijoi në Shqipëri fondin Anglo Adriatika Investment Fund sh.a me qëllim mbledhjen e kuponëve të privatizimit. Ky konflikt i kushton shtetit 1 milion Euro. Kjo çështje në arbitrazh është fituar nga shteti ynë, por pagesa njihet për shpenzimet administrative të Arbitrazhit.
Nga buxheti i shtetit duhet tё paguhet gjithashtu dhe vlera prej 550 000 Euro pёr konfliktin ndërmjet Ministrisё sё Bujqёsisё dhe Zhvillimit Rural dhe kompanisё Valeria Italia s.r.l., në lidhje me një ndërmarrje të fermave të produkteve bujqësore. Ministria e Financave dhe Ekonomisё njeh si detyrim vetёm koston totale tё shpenzimeve pёr avokatёt dhe kostot fillestare tё arbitrazhit nё vlerёn 769 500 Euro, ndërsa deri nё Qershor 2019 janё likujduar nga shteti shqiptar 219 500 Euro. Për këtë çështje nuk ka ende njё Vendim final tё Gjykatёs Ndёrkombёtare tё Arbitrazhit.
Njё tjetёr shumё qё duhet tё paguhet nga Buxheti i Shtetit ёshtё detyrimi ndaj shoqёrisё “J&P AVAX” s.a, nё vlerёn 4 214 402 Euro, si rezultat i konfliktit mes kompanisё dhe ish-Ministrisё sё Punёve Publike, Transportit dhe Telekomunikacionit (sot Ministria e Infrastrukturёs dhe Energjisё). Konflikti ka lindur pёr shkak tё mosmarrёveshjeve mes palёve gjatё zbatimit tё kontratёs nr. C-006, datё 22.05.2005 Pёr ndёrtimin e segmentit rrugor Gjirokastёr – Tepelenё, pjesё e korridorit Veri-Jug.
Konflikti mes kompanisё SAFA sh.p.k dhe Ministrisё sё Infrastrukturёs dhe Energjisё i ka shkaktuar buxhetit tё shtetit koston prej 3 543 338 Euro. Kjo çёshtje lidhet me projektimin dhe ndёrtimin e rrugёs Tiranё – Elbasan. Nga Raporti i Ministrisё sё Financave evidentohet se nё kёtё vlerё janё pёrfshirё vlera e dёmshpёrblimit ndaj Investitorit prej 2 495 166 Euro dhe kostot administrative tё Arbitrazhit nё vlerёn 1 048 166 Euro.
Detyrim tjetёr qё Ministria e Financave dhe Ekonomisё njeh si detyrim Arbitrazhi tё Shtetit Shqiptar ndaj Palёs Private, ёshtё vlera prej 217 563 Euro, pёr HFW LLC Porti Karpen.
Nё lidhje me kёtё, me Ligjin Nr. 77/2016 për “Përcaktimin e Proçedurёs së veçantë për negocimin dhe lidhjen e kontratës me objekt, projektimin, ndërtimin, operimin, mirëmbajtjen dhe menaxhimin e portit të Karpenit, zonës mbështetëse të portit dhe asaj ekonomike, ndërmjet shtetit Shqiptar dhe kompanisë “Star Bridge Port Developments Limited”, u parashikua ndërtimi i një porti me thellësi të madhe në zonën e Karpen, Kavajë, të ambienteve mbështetëse të portit, të shoqëruar me një zonë të lirë tregtare, si dhe ndërtimin e një terminali rigazifikimi të gazit natyror të lëngshëm (LNG) dhe një centrali për prodhim energjie. Ky ligj ёshtё publikuar nё Fletoren Zyrtare nr.154, datё 16.08.2016.
Gjithashtu, edhe njё tjetёr detyrim prej 50 000 Euro (pesёdhjetё mijё Euro) qё shteti shqiptar duhet të paguajë si detyrim arbitrazhi për shkak të kompanisë Tirana International Airport sh.p.k. Nё lidhje me kёtё çёshtje, nga Avokatura e Shtetit nё datё 19.04.2019, ёshtё shpallur thirrja pёr sigurimin e konsulencës së huaj me qëllim mbrojtjen e interesave të shtetit Shqiptar, në kushtet e negocimit apo rishikimit të mundshëm të Marrëveshjes së Koncesionit të lidhur me Tirana International Partners SH.P.K, për Aeroportin Ndërkombëtar “Nënë Tereza” Rinas, Tiranë. Detyrimi është i njohur edhe nga llogaritë e shtetit.
/Priza.al/