Teksa po shkojmë drejt fundit të muajit gusht pjesa më e madhe e prindërve kanë mbyllur regjistrimet për ciklin parashkollor dhe klasat e para. Por prindër të komunitetit rom dhe egjiptian në Elbasan ankohen se nuk po mundin t’i regjistrojnë fëmijët e tyre në çerdhe dhe kopshte me drekë. Sipas tyre drejtoritë e institucioneve arsimore po mbushin vendet e lira nga fëmijët e mazhorancës , duke i diskriminuar. Gjithashtu nënat në Elbasan kërkojnë përjashtimin nga tarifa e ushqimit, pasi me të ardhurat që kanë nuk e mbulojnë dot koston.
“Kërkoj sot që të hiqet pagesa e kopshtit, pasi më thanë që të paguaj tarifat për regjistrimet. Nuk kam mundësi ta paguaj këtë tarifë jam pa punë, kam 3 fëmijë kështu që nuk kam mundësi që ti paguaj. Doja t’i çoj fëmijët në kopsht që të nis edhe unë punë, edhe punën që kisha e lashë sepse skam ku ti coj fëmijët. Tarifa është 35 mijë lekë, unë pa pasur një bazë pune nuk mund të vazhdoj. Bashkëshortin nuk e kam, jam e vetme”, tha nëna.
Përfaqësuesi i Lëvizjes Rome dhe Egjiptiane kërkon më tepër vëmendje për fëmijët që vijnë nga komunitetet pasi vetëm kështu thotë ai do të minimizohej numri i fëmijëve në situatë rruge. Duke kërkuar të ndiqet modeli i bashkisë Tiranë aktivisti kërkon nga pushteti lokal në Elbasan ti përjashtojë këta fëmijë nga tarifa mujore e ushqimit.
Edhe pse në planin vendor për integrimin e pakicave kombëtare 2019-2022 i cili gjendet në rrjetet sociale bashkia thotë se duhet të përjashtohen nga tarifa e ushqimit fëmijët e komunitetit rom dhe egjiptian në praktikë nuk ndodh kështu. Madje ka dhe një rekomandim nga Komisioneri kundër diskriminimit që kërkon përjashtimin nga pagesat të fëmijëve nga komunitetet.