‘Ferlut-it’ i fluturoi licenca, por ‘mercenarët’ hidhen në aksion…/ Resmi Nika, ky rrahës shoferësh që do të bëhet edhe shantazhues gazetarësh    

Vetëm disa ditë më parë “Priza.al” botoi një lajm me foto dhe dëshmi ekskluzive nga një skandal që kishte ndodhur në Tiranë me një nga shoferët e autobusëve të linjës së Unazës.

Ne publikuam me foto dhe dëshmi ekskluzive incidentin që i ndodhi shoferit shoferit Enver Dishani, i cili u dhunua prej një grupi “të fortësh” me në krye Resmi Nikën, i cili, është një person në shërbim edhe të pronarit të kompanisë ‘Ferlut’, Ferdinand Ibrahimi, i cili në gjithë këto vite e ka mbajtur ndër të tjera edhe me dhunë kompaninë dhe linjën e Unazës.

Për këtë skandal që përfundoi me dhunë fizike dhe me dërgimin e shoferit Enver Dishani në spital, ku autor i rrahjes së tij ishte pikërisht Resmi Nika, “Priza.al” vuri në dijeni edhe Policinë e Tiranës, e cila deri në atë moment nuk ishte interesuar për këtë ngjarje.

(Foto: Shoferi i dhunuar i linjës së ‘Unazës’, Enver Dishani, në urgjencën e QSUT-së)

Por vetëm disa ditë pasi kemi shkruar një mal me skandale për linjat e transportit urban në Tiranë, të cilat janë zhytur jo vetëm në pisllëk dhe abuzime financiare, por edhe janë kthyer në “mejhane” gangsterësh, në redaksinë tonë kanë ardhur mesazhet e para kërcënuese dhe shantazhuese.

“Çuditërisht” kjo ndodhi pasi Ferdinant Ibrahimit, të “Ferlut”, i hoqën zyrtarisht monopolin e linjës së Unazës, në një kohë që ky person është strumbullari i rritjes së çmimit të biletave të urbanëve në Tiranë dhe në gjithë Shqipërinë.

Menjëherë pas kësaj, redaksia jonë e “Priza.al”, është vënën nën breshërinë e sulmeve rrugaçërore dhe shantazheve të tipit mafioz.

Gangsterët kërcënojnë hapur median e lirë

I pari që prej disa ditësh na ka “bllokuar” telefonin e redaksisë me telefonata pa fund, është Resmi Nika, i cili tashmë prej disa ditësh ka telefonuar duke shantazhuar stafin e redaksisë por dhe duke kërkuar takim me botuesin.

Nika ka kërkuar ndër të tjera nga “Priza.al” që të hiqen menjëherë dhe të fshihen nga të gjitha rrjetet sociale (a thua se ne jemi Zuckerberg-u), të gjitha shkrimet e bëra për linjat e Unazës, për Ferdinand Ibrahimin dhe Fatos Vrapin, si dhe ato që treguan për skandalin e rrahjes së shoferit Enver Dishani.

Në komunikimin me personin e informacionit të “Priza.al”, me një gjuhë vandalësh dhe rrugeçësh, Resmi Nika, ka kërkuar heqjen e shkrimeve pasi në të kundërt “…ne do ta shikonim!”.

No description available.

(Foto: Numri i Resmi Nikës që ka telefonuar numrin e redaksisë së “Priza.al”)

“Hiqini ato që keni shkruar dhe mos bëni më gjera në emrin tim, se do ta keni punën keq pastaj…!!”,- ishte një ndër “rekomandimet” që morëm prerazi nga Resmi Nika në numrin e redaksisë tonë.

Telefonatat që nisën që ditën e shtunë në orën 12:03 të mesditës, kanë qenë pa pushim edhe gjatë këtyre ditëve në vijim. Informacioni i’u përgjigj telefonatës që nga ana tjetër u prezantua si Resmi Nika, pronar i linjës së Urbanëve Tiranë-Vorë, me pretendimin se ne të “Priza.al” po i binim “më qafë”.

“Mos bëni provë që të bëni më asnjë shkrim për çështjen e autobusëve Urbanë!”,- ishte një prej urdhrave të Resmi Nikës, dhënë për redaksinë tonë.

Ndërkohë, në profilet tona të rrjeteve sociale, një bandë rrugeçësh halabakë me në krye vëllain e Resmi Nikës, Miri Nika dhe shokë të tij, janë angazhuar që të mbushin me komente dhe mesazhe fyese dhe kërcënuese deri në cenim të jetës gjithë stafin e “Priza.al”, duke premtuar hakmarrje për atë që i kemi shkaktuar xhaxhait të tij, Resmiut.

(Foto: Miri Nika me vëllai e tij Resmi Nika)

Mesazhet e ardhura në të gjitha profilet tona sociale nga këta individë (sipër në foto) dhe miq të tyre të porositur për të shantazhuar dhe kërcënuar në të gjitha format, nisin që nga sharjet dhe fyerjet më ordinere dhe të denja për halabakërinë e rrugëve, deri tek shantazhet tipike mafioze për cenim të jetës dhe misionit tonë si redaksi.

(Foto: Disa prej mesazheve fyese dhe kërcënuese të ardhura në adresat e “Priza.al” në rrjetet sociale)

Mire deri këtu…! E kuptojnë indinjatën dhe shqetësimin e çunave të fisit Nika, por nuk kuptojnë se përse duan të kthehen në kamikaz të Ferdinand Ibrahimit, qerrja e të cilit e ka marrë me kohë tatëpjetën më keq se autobusët e ndryshkur dhe amortizuar të Unazës, të cilët Bashkia e Tiranës vetëm pas kaq vitesh dje u hoqi përfundimisht licencën.

Ne nuk jemi marrë në fakt si duhet me linjën Tiranë-Vorë, e cila përveç skandaleve të herë pas hershme është kthyer edhe ajo në një gangrenë për udhëtarët e shumtë. Por në ditët në vijim do ta bëjmë me fakte dhe prova.

(Foto: Grupi i personave që ushtron dhunë ndaj shoferëve dhe faturinove të linjave urbane)

Sqarim

“Priza.al” është një media e lirë e cila ka hyrë në garën e ashpër të mediave on-line shqiptare me vetëm një mision, të thotë pa asnjë rezervë fjalën e lirë, t’u gjendet pranë qytetarëve të thjeshtë për çdo hall, problem apo shqetësim.

“Priza.al” nuk ka ardhur në këtë treg mediatik për reklama, para, apo përfitime politike, por përkundrazi për t’u bërë opozitë mediatike si qeverisë ashtu dhe çdo subjekti privat apo shtetëror që mendon se në këtë vend tashmë është bërë “deti kos” dhe o burra të marrim “lugën”…

(Foto: Miri Nika në zyrën ambulante të vëllait të tij Resmi Nika, pronar i linjës Tiranë-Vorë “Remi-Trans”)

“Priza.al” është marrë gjatë këtyre muajve të aktivitetit të saj në median e lirë edhe me probleme më të mprehta se sa kaq dhe e ka thënë me guxim dhe pa asnjë lloj frike të vërtetën siç ka qenë.

Kemi pasur përballë persona shumë herë më të fortë dhe me shumë më shumë para se sa disa pronarë linjash urbane dhe as nuk jemi trembur dhe as nuk jemi joshur nga ato që na janë ofruar.

I kemi siguruar të ardhurat tona për disa vite nga disa projekte perëndimore të disa ambasadave dhe organizatave joqeveritare mike, prandaj nuk jemi si bizneset e Ferdinand Ibrahimit që i marrin pagat një herë në 6 muaj.

Ndaj për këtë do të na keni nga pas për disa vite të paktën, edhe sepse na është financuar dhe besuar një mision. Ai për të thënë vetëm të vërtetën dhe pëër të investuar cilin do halabak dhe hajdut që deri tani ka bërë para në këtë vend, me mendimin se kjo do të vazhdojë me rrumpallë në përjetësi.

Pra që ta kesh parasysh ti zoti Resmi Nika, miku ut Ferdinand Ibrahimi me Fatos Vrapin, dhe të tjerë “mercenarë” që keni dhe mbani nga prapa, ne “Priza.al” nuk jemi ajo media që mund të shantazhohet apo trembet sepse janë disa të fortë që duan të bëjnë para në këtë qytet, qoftë edhe me shërbim urban publik.

“Priza.al” u bën thirrje organeve të Policisë së Shtetit, Prokurorisë së Përgjithshme dhe asaj të Tiranës, Bashkisë së Tiranës dhe të gjitha institucioneve shtetërore, që të merren me këta individë që jo vetëm e kanë kthyer transportin publik në fole banditësh dhe hajdutësh, por të marrë në mbrojtje median e lirë dhe të hetoj për këtë rast!

“Priza.al” i kërkon dhe bën apel edhe Ambasadës së SHBA-ve në Tiranë, asaj të Mbretërisë së Bashkuar dhe përfaqësisë së BE-së në vendin tonë, që të reagojnë dhe të marrin në mbrojtje jo ne, por misionin tonë dhe median e lirë.

Ne do të vijojmë me misionin tonë dhe i mirëpresim të gjithë ata që kanë mendim kundër nga ne, qoftë edhe ata që na shantazhojnë dhe kërcënojnë hapur deri me jetë. Do të na keni pas gjithmonë!

/Priza.al/

Ky artikull është ekskluziv i “Priza.al”, gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”. Shkrimi mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Priza.al” dhe në fund të vendoset linku i burimit, në të kundërt çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas Nenit 178 të Ligjit Nr/ 35/2016

 

Share This Article
Leave a comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *