Kryeministri Edi Rama, ka bërë të ditur sot, me anë të një postimi në rrjetin social “Facebook” se është përgatitur një paketë ndihmash për 1 milion qytetarë. Ndër ata që do të përfitojnë do të jenë pensionistët, personat me aftësi të kufizuar, si dhe familjet që përfitojnë ndihmë ekonomike. Rama tregoi se e gjithë paketa do të kushtojë 8 miliardë lekë dhe do të shprëndahet ditët e para të janarit.
Postimi i plotë:
GËZUAR
Qeveria po mbyll Pakon e Madhe në mbështetje të 1 milionë individëve, për të lehtësuar ndjeshëm daljen e familjeve shqiptare nga ky dimër i ngarkuar, duke zeruar efektin e inflacionit të luftës mbi konsumin bazë për pensionistët, familjet në ndihmë ekonomike, posaçërisht nënat kryefamiljare në skemën e ndihmës ekonomike, paraplegjikët, tetraplegjikët, personat me aftësi të kufizuara, invalidët e punës, po edhe për punonjësit e shtetit – duke dhënë më shumë për ata që fitojnë më pak, por pa lënë askënd pa mbështetje.
Pakoja e Madhe, e cila parashihet mbi 8 miliardë lekë në dorë për të gjithë individët e përfshirë, do të mbyllet brenda ditës së sotme dhe do të shpërndahet e gjitha në ditët e para të janarit.
Kjo është qeveria e shumicës, jo e disave dhe faktet e shifrat thonë se volumi i mbështetjes financiare të atyre që fitojnë më pak apo të shtresave në nevojë, në vitet e qeverisjes sonë (pa llogaritur fondet masive të Rindërtimit pas tërmetit apo të Luftës me pandeminë) është disafish më i lartë se sa në tërë qeveritë e mëparshme të marra së bashku