Festat i kaloi në qeli, Apeli i GJKKO merr masën për Lefter Kokën

Apeli i GJKKO la sot në burg ish-ministrin e Mjedisit Lefter Koka, i cili u arrestua për aferën e inceneratorëve.

Mëngjesin e 2 janarit, rreth orës 10:45 nisi në Gjykatën e Posaçme të Apelit seanca ku u shqyrtua kërkesa e ish-ministrit Lefter Koka, që hetimi ndaj tij të bëhet në një masë me të lehtë sigurie.

Lefter Koka ka kërkuar lirinë dhe tha se bashkëpunonte me drejtësinë.

Koka u arrestua më 14 dhjetor 2021 për skandalin e incineratorëve, ndërsa GJKKO caktoi në datën 16 dhjetor masën e sigurisë “arrest me burg” dhe aktualisht ai po mbahet në paraburgimin e 313.

SPAK akuzon Lefter Kokën për shpërdorim detyre, pastrim parash dhe korrupsion për incineratorin e Elbasanit.

SPAK prangosi ish-ministrin e Mjedisit, Lefter Koka për dosjen e shumëpërfolur, atë të inceneratorit në Elbasan. SPAK e akuzon Lefter Kokën për shpërdorim të detyrës, pastrim të parave dhe korrupsion, tre akuza të rënda me të cilat ish-ministri tashmë do nisë betejën e tij me drejtësinë, teksa janë sekuestruar edhe kompanitë “Albtek Energy”, pra inceneratori i Elbasanit, “Integrated Technology Services” si edhe aksionet e Kokës në “Kantinën e Pijeve Gjergj Kastrioti Skenderbeu”. Nga ana tjetër, janë shpallur në kërkim edhe Stela Gugalli, e cila në sistemin TIMS rezulton se është jashtë shtetit si dhe Klodian Zoto.

Lefter Koka ka shërbyer si ministër i Mjedisit në qeverinë “Rama” përgjatë viteve 2013-2017 dhe më pas ka qenë deputet deri në vitin 2021. Kujtojmë që Lefter Koka u rizgjodh deputet i qarkut të Durrësit në zgjedhjet e 25 prillit, por hoqi dorë nga mandati.

 

/Priza.al/

Share This Article
Leave a comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *