Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj ka reaguar në lidhje me festivalin ‘Digital Nomad’ që do të mbahet për një periudhë tre ditore, ku do të bëjë bashkë ekspertë nga e gjithë bota.
Gjatë një konference për mediat, Veliaj tha se në kryeqytet janë ndërmarrë shumë nisma për të ndihmuar teknologjinë të avancojë, ku theksoi se një prej tyre është transformimi i Piramidës së Tiranës në një qendër IT-ie.
Sakaq shtoi se Tirana do të kthehet në një qytet origjinal dhe qeveria do ta ndihmojë atë me politikat e duhura.
“Tirana ka pasur 1000 aktivitete këtë vit. Patëm festivalin Sunny Hill të Dua Lipës, apo koncertin e Rita Orës. Pak më parë organizuam finale e Conference League. Kur pamë në Sevilje njerëzit që nuk kishin ujë për të pirë, kurse në Paris 15 mijë huliganë hynë pa bileta, thashë: Ne nuk jemi keq, por a duhet pak vetëbesim. Së pari, të mos shajmë veten tonë dhe të jemi ne agjentë marketingu të Shqipërisë, të Tiranës. Po nuk fole mirë ti për gjënë tënde, kush do flasë? Së dyti, të rekrutojmë gjithë këtë skuadër këtu, me njerëz që e dinë si bëhet kjo punë dhe që mund të jenë pjesë e një kori avokatie për Shqipërinë dhe për Tiranën. Ndaj, besoj fort se nëse kjo ngjarje, ky aktivitet, ky festival prodhon këtë fabul, pra prodhon këtë tregim të asaj që kemi arritur. Vetëm fakti që Piramidën, që është ndoshta metafora më e bukur e transformimit të Shqipërisë, po e kalojmë nga një mauzoleum i diktatorit, në qendrën më të madhe të IT-së, teknologjisë së informacionit, kodimit, elektronikës, robotikës, besoj se vetëm historia e asaj ndërtese, tregon tranzicionin më mirë se kushdo; pra pika ku ne kthejmë dhe ku realisht nisim një trend të një Tirane që nuk ndalet, për të qenë ndoshta jo një qytet “i ri-i vjetër”, por një qytet origjinal”, tha ai.