Një ngjarje të rëndë raportohet të ndodhur brenda një familje në një fshat të Fierit. Banorët e zonës pohojnë se një vajzë me aftësi të kufizuara dyshohet se është abuzuar seksualisht nga babai i saj.
“Dua të denoncoj një rast të dyshuar si përdhunim i një vajze me prapambetje mendore nga babai i saj. Bëhet fjalë për një ngjarje në një fshat të Fierit. Rasti është mbajtur i fshehur për momentin si nga spitali i Fierit dhe nga policia.
Babai i vajzës është paraqitur në spital javën e kaluar me damarë të prerë, pasi ka tentuar vetëvrasjen kur djali i tij i ka gjetur në flagrancë dhe i ka thënë se do të denoncoj në polici” ishte informacioni, që vijonte se vajza nuk ishte marrë në mbrojtje dhe vazhdonte të jetonte me babain abuziv, pasi vëllai i saj është gjithë ditën në punë.
“Dhe nëna e vajzës nuk jeton, ka vdekur dy vite më parë. Jemi të shqetësuar për këtë person abuziv, pasi është akoma i lirë dhe mund të vazhdojë të abuzojë si me vajzën e tij, por dhe mund të abuzojë dhe me dikë tjetër të dobët apo të pafuqishëm të mbrohet. Duhet të vihet para drejtësisë” vijonte informacioni.
Infermierja e fshati ka dijeni për ngjarjen në fjalë, pasi kishte dëgjuar shumë persona që flisnin për një gjë të tillë. Por, ajo u mjaftua se “nuk kam parë vetë gjë”. Të gjithë në fshat kishin informacion, ndërsa gazetarët pyesin edhe në lokalin e lagjes. Ashtu si infermierja, edhe banorët e tjerë përmendin abuzimin e të atit ndaj vajzës me aftësi të kufizuara.
Vëlla e motër pranojnë se ka pasur një tentativë të babait të tyre për të abuzuar.
“Unë njoftova 127 dhe më thanë që po nuk erdhi policia nuk vijmë. Mora 112 më thanë po dërgoj postën më të afërt. Më pyeti edhe mua, ti kur hape derën çfarë po bënte babai? I thashë po tentonte të kapte cepin e divanit që të ngrihej se nuk kishte pikë fuqie më. Po çfarë t’i bëjmë ne atij, ai gjithmonë pi” thotë vëllai i vajzës. Nga ana tjetër, vetë vajza thotë se “kam frikë se mos e bën prapë, do ta ruaj”.
Media bisedon edhe me inspektorin e policisë së zonës, z.Ferrik Hoxha, të cilin e gjen në një lokal shumë afër shtëpisë ku dyshohet se ndodhi edhe abuzimi. Fillimisht, inspektori bën të paditurin, pasi “e kam marrë vesh nga të tjerët, se si është muhabeti aty unë nuk kam marrë kontakt fare as në ngjarje”. Por më pas thotë se “është një veprim shumë i ulët”. Më tej pranon se “vajza ka të drejtë dhe duhet të mbrohet dhe duhet të mbrohet se s’bën”.
Madje, ai i thotë gazetarëve se “di edhe disa raste më përpara që i dinte e ëma”.
“Ma tregoi me kunatën e parë, dikush ka abuzuar . I thashë përse nuk erdhe të bësh denoncim që kanë abuzuar me vajzën. Mi tregoi disa persona, por nuk e di. Seksualisht ka një rast më parë nga kunata”. I pyetur se nëse mund të ndodhë sërish një gjë e tillë, ai thotë se “edhe mund t’i ndodhi, në atë familje po. I ati është qen bir qeni burrë për mua. Hajde shkojmë bashkë. Për të bërë veprime e për t’ia kaluar tjetrit është njësh ai zagari”.
Inspektori kishte informacione se ngjarja ka ndodhur. Madje, e ëma e vajzës i ka treguar edhe emrat e disa personave të tjerë që kanë abuzuar. Por, gjithmonë, ngjarjet nuk janë referuar në prokurori. Bashkë me inspektorin, gazetarët e Fiksit rikthehen te shtëpia. Vajza pranon se babai ka qenë sipër saj. “Unë po flas të vërtetën. Kur hap derën, i thashë çfarë po bën? Ja do ta shikosh ti më tha. Ishte sipër motrës dhe po kapte cepin e divanit që të ngrihej” thotë vëllai i vajzës, ndërsa pohoi se babai “pantallonat kishte veshur, po bluzë dhe kantiere jo”.
Më tej vajza thotë se “isha kështu unë shtrirë, ai ishte këtu lart mbi mua në brinjë. Ishte hera e parë dhe më tunde mua. Unë kam frikë se do ta bëj prapë. Do ta ruaj”, tha vajza.
Banorët e zonës thanë se ngjarjet në atë banesë kanë ndodhur në mes të muajit gusht 2022. Ndërkohë, grupi i Fiks Fare ka shkuar sërish në atë familje, për të pyetur nëse policia e Fierit kishte bërë apo jo ndonjë veprim. Por, sërish asnjë veprim nuk ishte kryer, megjithëse inspektorët e zonës deklaruan se e kanë referuar materialin në organin e akuzës.
Drejtoria e Policisë së Fierit përgjigjet se kanë pasur informacion vetëm për tentativën e vetëvrasjes nga T.K., 65 vjeç.
“Në asnjërën nga strukturat e Policisë së Fierit nuk ka pasur dhe nuk ka asnjë denoncim, indicie apo pretendim, nga asnjë shtetas, se një shtetase me aftësi të veçanta ngacmohet seksualisht nga babai i saj. Duke qënë se nuk kemi pasur asnjë indicie për një rast të tillë ngacmimi, shërbimet e Policisë nuk kanë pasur asnjë bazë/motiv ligjor përse të njoftojnë shërbimet mbështetëse sociale apo të Bashkisë, apo të ngrenë pyetje për familjarët, me objekt ngacmimin seksual të shtetases”.
Më tej pohojnë se për sa i përket pretendimit se 65-vjeçari ngacmon seksualisht të bijën me aftësi të veçanta, “ju bëjmë me dije se me marrjen e kësaj kërkesë për informacion, janë pyetur familjarët e shtetases dhe asnjëri prej tyre nuk ka pasur asnjë pretendim për një rast të tillë”.
Pra, policia thotë se s’ka asnjë informacion apo denoncim për ngacmim seksual. Por, rezulton se inspektori i policisë kishte informacion. Madje, edhe vëllai i vajzës pranoi se ka pasur tentativë dhe ngacmim të tillë. Në gjithë këtë histori, vetëm policia s’ka informacion. E gjithë familja e di, madje i gjithë fshati dhe polici i zonës. Por sërish, vajza vijon të jetojë me babanë, siç denoncuan edhe banorët e këtij fshati./tch