Dhunoi një 24-vjeçare dhe i hoqi asaj lirinë, për 2 muaj, duke e detyruar që të ushtronte prostitucion, pranga të riut në Fier. Bëhet fjalë për shtetasin Arbër Mehmeti.
NJOFTIMI I POLICISE:
Shërbimet e Forcës së Posaçme “Shqiponja” të DVP Fier, si rezultat i veprimeve të shpejta operacionale, të kryera në kuadër të operacionit “Imponimi”, me qëllim lokalizimin dhe prangosjen e autorit të dyshuar kryesor, të një rasti të shfrytëzimit për prostitucion, si dhe me mbështetje nga inteligjenca informative, lokalizuan, kapën dhe vunë në pranga brenda tre ditësh nga shpallja në kërkim, shtetasin:
-A. M., 33 vjeç, banues në Fier, për veprat penale “Heqja e paligjshme e lirisë”, “Shfrytëzimi i prostitucionit” dhe “Mbajtja e lokaleve për prostitucion”.
Nga hetimet e kryera nga Specialistët për Hetimin e Trafiqeve të Paligjshme të DVP Fier në bashkëpunim me Prokurorinë e Fierit, në kuadër të operacionit policor të koduar “Imponimi”, të zhvilluar tre ditë më parë, rezultoi se 33-vjeçari, në bashkëpunim me 3 shtetase tashmë të arrestuara, i kanë hequr lirinë, nëpërmjet kërcënimit dhe dhunës, një 24-vjeçareje dhe e kanë shfrytëzuar atë për prostitucion, për një periudhë dymujore, në banesa me qira dhe në hotele të ndryshme në qytetin e Fierit.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Fier, për veprime të mëtejshme.