Hidrocentrali i Fierzës, më i madhi në kaskadën e Drinit ka qëndruar përgjatë këtij viti nën mesataren historike sa i takon nivelit të liqenit.
Situata aspak e mirë hidrike e gjeti nivelin e HEC-it në janar 270.68 metra dukshëm nën mesataren historike që llogaritet 275.5 metra. Përkeqësimi gradual i Fierzës ka vijuar edhe në shkurt në raport me mesataren ku shënoi 268.28 metra për të kulmuar në mars me 260.67 metra teksa mesatarja për këtë periudhë është 279.82 metra.
Nisja e reshjeve të shiut dhe borës përmirësuan këtë bilanc në prill duke vijuar me rritje deri në maj kur niveli edhe pse arriti 289 metra sërish ishte nën mesataren historike për këtë periudhë e cila është 290.68.
Rritja e çmimeve të energjisë në bursa detyroi Korporatën Elektroenergjetike Shqiptare që të bazonte prodhimin tashmë në qershor kryesisht në vend edhe pse kjo rritje u bë më e theksuar në korrik. Në qershor niveli i Fierzës ishte 288 metra ndërsa mesatarja historike është 289.53 metra.
Në datë 15 gusht Korporata Elekteoenergjetike Shqiptare raportoi se po prodhonte 17 mijë MWh energji nga HEC-et në vend duke tentuar kështu të mbrohet nga çmimet e shtrenjta në bursa por edhe pamundësia për të siguruar energji nga tregu i lirë në moment të fundit. Kjo ka bërë që nivelet e HEC-ve të vijojnë të bien ku Fierza shënonte 278.62 metra. Rezerva energjetike ka zbritur në 722.9 Gwh.
Me këto ritme nëse çmimet nuk do të njohin ulje dhe nëse do të mungojnë reshjet tetori do të jetë një muaj i vështirë për sektorin energjetik në vend. KESH ndërkohë parashikon që të verë në funksion në vjeshtë prodhuesit termikë në Vlorë në vjeshtë.
Çmimet në bursa
Aktualisht çmimet në bursa vijojnë të mbeten të larta. Në Bursën e Hungarisë 1 MËH energji për datën 16 qershor u tregua mesatarisht me 500 euro në bazë dhe 509 euro/MËH në pik. Në raport me një ditë më parë kjo rritje ishte me 17.18 për qind në bazë dhe 17.83 për qind në pik.
Ndërkohë për datën 17 gusht çmimi i një megavat/orë energji ka arritur 553 euro/MWh në bazë dhe në pik 573 euro/MWh me një rritje 12.48 për qind në raport me një ditë më parë. Çmimi më i lartë është regjistruar për fashën orare 20:00 ku 1 MWh ka prekur nivelin 747.93 MWh, nivele këto të çmendura dhe që paralajmërojnë se Europa dhe vendi ynë do të përballen me muaj të vështirë para.
Çmimet në pjesën e parë të gushtit kanë qenë më të qëndrueshme sesa në fund të korrikut më së shumti nga një ngadalësim i kërkesës për energji si rrjedhojë e ngadalësimit ekonomik që po vihet re në këtë periudhë./N.Maho