FIFA dënon Serbinë për ofendimet ndaj Xhakës dhe Shaqirit

Federata Ndërkombëtare e Futbollit ka dënuar sërish Serbinë. FIFA të premten e dënoi Federatën serbe me 50 mijë franga për thirrjet fyese të tifozëve në ndeshjen ndaj Zvicrës.

Në ndeshjen e Kupës së Botës në Katar, huliganët serbë kanë fyer vazhdimisht Xherdan Shaqirin e Granit Xhakën, dy lojtarët shqiptarë të Zvicrës. Zvicra kishte fituar 3:2 dhe kishte dërguar Serbinë në shtëpi.

Por gjoba prej 50 mijë frangave ka të bëjë edhe me sjelljen e lojtarëve serbe në fushë, që po ashtu ishin josportive.

“Komiteti Disiplinor i FIFA-s ka sanksionuar Federatën e Futbollit të Serbisë me gjobë prej 50 mijë franga zvicerane dhe një mbyllje të pjesshme të stadiumit (prej 25 për qind), në ndeshjen zyrtare të radhës të përfaqësueses A. Dënimi është për shkelje të neneve 13 (diskriminimi) dhe 12 (sjellja e pahijshme e lojtarëve dhe zyrtarëve) të Kodit Disiplinor të FIFA”, shkruan në vendim.

FIFA ka sqaruar se bëhet fjalë për thirrjet e tifozëve serbë e po ashtu sjelljen e keqe të ekipit, përkatësisht ndëshkimin e shtatë lojtarëve të Serbisë me kartona të verdhë.

Është ky dënimi i dytë i FIFA-s ndaj Serbisë lidhur me qëndrimet anti-shqiptare në Botërorin në Katar.

Javë më parë FIFA e kishte dënuar federatën serbe me 20 mijë franga zvicerane për shfaqjen në zhveshtoren e Serbisë të flamurit diskriminues ndaj Kosovës.

Share This Article
Leave a comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *