Pas hapjes së një hetimi për kaosin mes Holandës dhe Argjentinës, FIFA ka urdhëruar që arbitri spanjoll Antonio Matheu Lahoz, i kontestuar ashpër për sjelljen e tij në çerekfinalen e Kupës së Botës, të fituar nga “Selección” me penallti, të mos vazhdojë të gjykojë më në Katar.
Këtë e ka bërë të ditur agjencia argjentinase “Telam”. Protestat e lojtarëve të të dyja skuadrave kundër gjyqtarit në fjalë kanë bërë që autoriteti më i lartë i futbollit ndërkombëtar të analizojë punën e tij. Sipas të dhënave statistikore të siguruara nga vetë FIFA, Lahoz është arbitri me më shumë kartonë të verdhë të akorduar në një ndeshje.
Në total, ai ndëshkoi 14 lojtarë. Kësaj i shtohen 48 shkelje të sanksionuara, 30 për ekipin Albiceleste dhe 18 për ekipin holandez. Sipas FIFA-s, veç kësaj, arbitri spanjoll nuk diti t’i kanalizojë me autoritet debatet dhe zënkat e protagonistëve të të dyja skuadrave në fushë.
Ndërkohë, komisioni disiplinor i FIFA-s ka hapur një dosje kundër Federatës Argjentinase të Futbollit (AFA) për incidentet me lojtarët e saj gjatë çerekfinales, ku skuadra e Lionel Messit mundi Holandën 4-3 me penallti, pasi barazoi 2-2 në 90+30 minuta lojë. Hetimet synojnë të konstatojnë çdo sjellje të pasaktë dhe të dënueshme nga lojtarët dhe drejtuesit.