Kalimi drejt vendeve të BE-së për shkak të pandemisë është bërë pothuajse i pamundur, por kjo nuk i ka ndaluar shqiptarët të lëvizin.
Fiks Fare pas një investigimi të gjatë për disa ditë me radhë ka transmetuar mënyrat se si agjencitë e udhëtimit mashtrojnë shqiptarët me shuma të mëdha parash duke iu premtuar kalim të sigurtë drejt Europës. Këto mënyra nuk janë vetëm nëpërmjet agjencive me autobus por edhe si shofer furgoni apo me furgon taksi në të zezë.
Në redaksinë e Fiks fare mbërriti një sinjalizim se me 1200 euro shkon në Itali si shofer furgoni. Pas këtij denoncimi Fiks Fare niset drejt Durrësit për të kontaktuar me personin që kishte bërë të mundur kalimin e denoncuesit me furgon të linjës Shqipëri- Itali. Gazetarët e Fiksit kontaktojnë në telefon me personin dhe i kërkojnë që t’i ndihmojë për të shkuar në Itali. Zotëria u lë takim në terminalin e autobusëve dhe furgonave pranë stacionit të trenit në Durrës. Në takimin e gazetarëve të Fiksit me personin ai tregohet dyshues duke u kërkuar se kush ua ka dhënë numrin dhe kush i ka adresuar tek ai, pasi siç dukej edhe nga biseda e transmetuar në emision ai ruhej. Pasi gazetarja e bindi se kishte vërtet për qëllim kalimin e të vëllait drejt Italisë, zotëria e pyet a ka patentë. Pasi merr përgjigje pozitive ai i kërkon një foto të vëllait dhe mundësisht të jetë pak i bëshëm që të ngjasojë si shofer tipik. Fillimisht ai nuk pranon të bëjë muhabet lekësh, kjo si rrjedhojë e atyre ça kishte transmetuar Fiksi disa ditë rresht, por më pas kërkon që gazetarja ditën e premte të paraqitej me vëllanë e saj po në terminal. Ai e udhëzon se vëllai duhet të jetë i veshur me një këmishë dhe një bluze me jakë V që të ngjajë si shofer, në të njëjtën kohë ai i kërkon një foto të pasaportës që t’i bëj gati dokumentet përkatëse si shofer i linjës Shqipëri- Itali.
Pyetjes së gazetares nëse duhej ndonjë dokument shtesë apo tampon , zotëria i përgjigjet negativisht. Për çdo gjë do ata do të flisnin ditën kur vëllai do të nisej , madje edhe për pagesën. Gazetarja e pyet edhe njëherë se sa është shuma që duhet të paguajë për kalimin e vëllait të saj në Itali si shofer dhe zotëria i përgjigjet “Aq sa të kanë thënë ty që të rekomanduan tek mua, aq jemi”. Pra në total 1200 euro dhe kalimi është shumë i sugurtë. Gazetarja e Fiksit pasi merr konfirmimin për të kaluar ‘vëllain’, e pyet nëse ka ndonjë mundësi më pas ta kalojë edhe atë për Itali. Personi në fjalë e merr përsipër edhe këtë gjë duke pohuar se kalimin e femrave e bën nga Rinasi me avion dhe vetëm me pasaportë, edhe këtu në lojë ishte po e njëjta shifër, 1200 euro.
Një tjetër variant që Fiks Fare arriti të zbulojë për kalimin drejt vendeve të BE-së ishte edhe ai me furgon taxi në të zezë.
Bëhet fjalë për një të ri nga Vlora që dërgon emigrantë shqiptarë nga Shqipëria për në drejtim të vendeve europiane më taksi. Në bisedë taksisti është treguar i prerë teksa ka kërkua 900 euro, për dërgimin e një të reje në Dortmund të Gjermanisë. Sipas taksistit fillimisht qytetarja do paguante 250 euro në momentin që ngjiten në taksi në Tiranë, ndërsa pjesën tjetër me të mbërritur. Taksisti ka treguar se ka 30 vjet që e kryen këtë aktivitet dhe nuk ka patur asnjëherë probleme. Sipas tij ai i dërgon qytetarët në rrugën më të shkurtër deri në Serbi, duke i rënë nga dogana e Vardarit dhe nga aty për 5 orë ai mbërrin në kufirin e Serbisë me Hungarinë. Ka raste që qytetarët i dërgon deri në këtë pikë kufitare dhe më pas janë bashkëpunëtorët e tij që i dërgojnë më tej. Por këtë radhë ai merr përsipër që bashkpuntoren e Fiksit ta dërgojë vetë deri në Austri . Me të mbërritur në stacionin e autobusave në Austri, do ti pritet bileta e autobusit dhe më pas të vazhdojë udhëtimin drejt destinacionit final, Gjermanisë. Sipas taksistit në rast se bashkëpunëtorja e Fiksit do kthehet në doganën e Serbisë, asaj i kthehet 150 euro, nga 250 eurot që i janë marrë që në momentin e ngjitjes në taksi, duke i mbajtur kështu vetëm 100 euro. Për të garantuar lëvizjen taksisti pohon se ka me dhjetra raste që ka dërguar emigrantë si në Zvicër, Gjermani dhe Austri. Madje edhe kur çdo gjë ishte e paralizuar prej pandemisë ai ka mundur që të dërgojë njerëz në destinacione të ndryshme në Europë.
Terminali autobusëve Durrës.
Fiksi: Kam një vëlla për andej në Itali.
Shoferi i furgonit: Ça moshe ka ai?
Fiksi: Është 28
Shoferi i furgonit: Motra, do ma tregosh pak foton e atij djali që ka kaluar. Kush është?
Fiksi: E… ka kaluar se më tha që ka kaluar si shofer furgoni për andeja, më tha 1200 euro.
Shoferi i furgonit: Kemi frikë nga shumë gjëra .
Fiksi: Hë si do ja bëjmë tani, nga do e nisim nga Vlora?
Shoferi i furgonit: Bjema djalin këtu ta nis unë pa problem fare edhe ….
Fiksi: Vetëm me pasaportë?
Shoferi i furgonit: Me pasaportë edhe patentë. Ka patentë?
Fiksi: Po po. Po nisjen e bën nga Vlora si?
Shoferi i furgonit: Nisjen nga Durrësi.
Fiksi: Tani sa lekë duhet të të jap unë paradhënie?
Shoferi i furgonit: Vetëm për lekë nuk flitet se ne punojmë pa lekë. Dëgjo mua, ti atë ditë që do vij djali atë ditë do flasim , dhe llafos me atë që të ka thënë dhe ato janë rregullat e lojës ( 1200 euro).
Fiksi: Po nevojë për tampon ka?
Shoferi i furgonit: Asnjë gjë, asnjë gjë.
Fiksi: Nuk ma kthen njeri?
Shoferi i furgonit: As që bëhet fjalë fare për ta kthyer, nuk bëhet fjalë për ta kthyer se ne nuk lozim as me veten e as me njerëzit as me ju.
Fiksi: Po kaloi ai, po unë si do bëj?
Shoferi i furgonit: Po edhe ti të kalosh. Ti do kalosh nga, nga ti do kalosh me avion .
Fiksi: Ah me avion? Do ta rregullosh ti?
Shoferi i furgonit: Po
Fiksi: Kur nisesh ti?
Shoferi i furgonit: Ne nisemi çdo te premte. Një valixhe të vogël, një këmishë, një bluzë me jakë V.
Fiksi: Që të ngjaj si shofer?
Shoferi i furgonit: Po
Fiksi: Nga Brindisi ëëë?
Shoferi i furgonit: Nga Bari, jo nga Brindisi. Ti do më dërgosh mua fotografinë edhe pasaportën.
Fiksi: Që të bësh atë…. Edhe ishalla të kaloj vëllai që të kaloj edhe unë andej.
Shoferi i furgonit: Kur të duash, nga unë vetëm që të të hypi të të garantoj. Keni probleme apo jo?
Fiksi: Jo jo asnjë.
Shoferi i furgonit: Kur të jesh gati më thuaj mua që të kalosh andej kur të duash.
Fiksi: Po njësoj me të njëjtat.
Shoferi i furgonit: Me të gjitha, me të gjitha ( 1200 euro).
* * *
900 euro kalimi drejt Austrisë me taksi
Taksisti –Rruga është 900 euro, 250 euro i jep këtu, ku hipën në makinë, pjesën tjetër kur zbret.
Bashkëpunëtorja e Fiksit – Ti je vetë shofer?
Taksisti – Kam agjenci turistike. Unë jam vetë nga këtu deri në Serbi.Pastaj janë kolegët e mi, ose mundet ta çoj edhe vetë deri në Austri.Dhe atje zbresin kemi autobuzat që të çojnë deri në stacion e i çojnë në destinacion, fiks deri në Gjermani. Kam çuar në Zvicër goca që punojnë në këto palestra. Tani janë mbyllur pak. Kam 30 vjet që punoj me këto punë. Kur ishte karantinë, kur nuk kalonte njeri unë i sillja me autobus.
Fiksi- Si i do lekët?
Taksisti – – Për rrugën jemi tek 900, 250 i jep goca si pasagjere, 250. Shtatë veta kam në makinë ose gjashtë veta, se dy jemi shofera? Në rast kthimi, 150 do kthehen 100 i mbaj unë. Në rast se e ka…. Merr 250 , 100 në çdo rruge të mbahen.
Fiksi- Çfarë dokumentash duhet të plotësojmë?
Taksisti – Asgjë nuk duhet, kartë identiteti vetëm. As shumë rroba mos na merrni. Nuk kam shumë bagazh se makinë për një familje është.
Bashkëpunëtorja e Fiksit – Tampon a gjë jo?
Taksisti – Jo jo asgjë vetëm kartë identiteti. Kësaj radhe dy pasagjer nuk i kishin ID u detyruam që i ramë 800 km më shumë , kur u kthyem i ramë nga Maqedonia. Në Maqedoni vetëm të japësh lekë pastaj a kupton. Është … nuk i marr më njerëzit pa kartë identiteti. Nuk i marr më se janë kot shpenzime plus dhe lodhje , plus dhe orari policor a më kupton?
Fiksi- Po ti nga i bien, nga çfarë vendi?
Taksisti – Nga Vardari është një kufiq dhe futemi në Serbi direkt që të shpie në doganë. Serbia është shumë e mbrapsht.
Bashkëpunëtorja e Fiksit – Ça ore të nisemi?
Taksisti – Të nisemi herët është më mirë, rehat. Nga ora 10:00 them unë të jemi atje. Deri dje i nisnim me agjencitë me 300 i kam marrë këtu.
Bashkëpunëtorja e Fiksit – Po makina është me targa shqiptare se kam dëgjuar që me targa shqiptare nuk lejohet?
Taksisti – S’ka lidhje fare vëlla kemi pjesën tonë ne . ne jemi për të vajtur në Serbi me pushime , jemi një grup shoqëror. Mos ki merak fare vëlla për asgjë.
Mirë pra kështu e lëmë.