Seneka konsiderohet si një nga filozofët më të rëndësishëm latinë të të gjitha kohërave. Duke qenë se i përket rrymës së Stoicizmit, ai është një nga ata filozofë që duke e rilexuar edhe pas shumë shekujsh, arrin ende të na japë mësime të mëdha për jetën.
Pas një viti e gjysmë pandemie, është e drejtë të reflektojmë mbi disa çështje si vlerësimi i të tashmes sonë, rëndësinë e kohës, modelet që duhen ndjekur në jetë, dhe shumë më tepër sesa kaq. Le t’i zbulojmë së bashku 5 leksionet mbi jetën të Senekës, që janë ende sot të dobishme.
Punoni mbi atë që ende mund të ndryshohet
Çfarë na mëson Seneka për këtë vit pandemik?Ankesa mbi atë që nuk mund ta ndryshojmë është e kuptueshme, por jo efektive. Ne nuk mund ta ndryshojmë faktin që Covid-19 ekziston. Ne nuk mund të ndryshojmë kohën, rastet dhe ditët që kanë kaluar.
Por ne mund ta ndryshojmë mënyrën se si reagojmë ndaj gjithë kësaj. Mund të ndryshojmë qasjen tonë. Sepse nuk mund të presim që për kaq shumë gjëra ta kemi gjithmonë situatën nën kontroll. Shumë shpesh gjërat nuk varen nga ne, siç ka ndodhur për1 vit e gjysmë, por kjo nuk do të thotë që ne duhet të vuajmë gjithçka në mënyrë pasive dhe negative.
Zhvillimi i këndvështrimit dhe mënyrës sonë të reagimit na bën aktivë, të përgjegjshëm. Ndaj përçojeni për mirë çdo minutë të jetës. Nëse zotëron të tashmen, do të jesh më pak skllav i së ardhmes.
Sigurohuni përpara se të arrini në përfundime
Një mënyrë për ta minimizuar zemërimin, argumenton Seneka, është të kufizoni shqetësimet tuaja mbi atë që nuk dihet me siguri. Nëse dikush ju tregon diçka të keqe mbi një person të caktuar, ju duhet ta verifikoni nëse kjo është e vërtetë, përpara se të bëni një gjykim të shpejtë. Po kështu, nëse lexoni diçka në internet apo në mediat sociale, pyesni së pari veten “A jam i sigurt se e di këtë?”. Nëse përgjigjja është “Jo”, atëherë mos nxitoni të arrini në përfundime. Siç thoshte Seneka: “Dembeli është pengesë për veten e tij”.
Vlerësojeni kohën
Koha është një nga temat kryesore të filozofisë stoike të Senekës. “Problemi nuk është se ne kemi pak kohë për të jetuar, por se harxhojmë shumë kohë. Jeta është mjaft e gjatë, dhe një sasi kohe e mirë na është dhënë për arritjet më të mëdha nëse e gjitha koha do të ishte investuar mirë… Pra nuk na jepet një jetë e shkurtër, por e bëjmë ne të shkurtër, kur jemi shpërdorues të saj… Jeta është shumë e gjatë nëse dini si ta përdorni atë”- shkruante filozofi i lashtë. Ndaj kini parasysh se ndryshe nga paratë që mund të harxhohen dhe rifitohen, koha është një burim i çmuar që nuk mund ta kthejmë kurrë pas.
Zgjidhni modelet e jetës
Mos harroni se njerëzit që ne admirojmë më shumë, nuk kanë vepruar gjithmonë me kokën e tyre. Ajo që i bën ata frymëzues, është gatishmëria e tyre e provuar për të bërë gjëra të vështira për kauza më të mëdha se vetë ata. Sepse siç thotë Seneka “ne jemi natyrshëm të gatshëm të admirojmë më shumë se çdo gjë tjetër, njeriun që tregon guxim në fatkeqësi”
Ndaj mendoni pak për njerëzit që admironi, qofshin ata sportistë, filozofë, shkencëtarë, muzikantë, aktorë dhe pyesni veten:Si do të kishin reaguar ata në situatën time? Zgjidhni për veten modele të shëndetshme dhe ndiqni së bashku me ta qëllimet tuaja.
Krijoni shpërblime të menjëhershme për qëllimet afatgjata
Ne e dimë që gjatë 1 viti e gjysmë të pandemisë, rreziku i “zvarritjes së gjerave” është gjithmonë aty. Mungesa e organizimit, apo thjesht e vullnetit dhe forcës, na bën të zhgënjyer dhe të pakënaqur. Seneka thotë: “Shtyrja e gjërave është humbja më e madhe në jetë: Ajo na vjedh çdo ditë dhe na e mohon të tashmen, duke na premtuar të ardhmen. Pengesa më e madhe për jetën e njeriut është pritja”.
Dhe në fakt, studimet e shumta kanë treguar se zvarritja e gjërave është një nënprodukt i tensionit të vazhdueshëm midis nevojës sonë për kënaqësi afatshkurtra, dhe planeve për qëllime afatgjata. Një nga mënyrat më të mira për t’iu kundërvënë këtij problemi, është t’i bëjmë të menjëhershme shpërblimet e qëllimeve tona afatgjata.
Një shembull? Nëse e dimë që duhet të studiojmë nga 50 faqe në ditë, pasi ta arrijmë këtë duhet të mësojmë “t’i bëjmë veten një dhuratë”. Pra ,mësohuni të vlerësoni veprimet e vogla apo të mëdha që kryeni gjatë ditës. /Libreriamo – Bota.al/