Finlanda do të bëhet anëtari i 31-të i NATO-s ditën e nesërme. Njoftimin e dha sekretari i përgjithshëm Jens Stoltenberg, i cili tha se ky hap do ta bënte Finlandën dhe aleancën ushtarake më të fortë.
Vendimi vjen pak pasi parlamenti turk miratoi një projektligj që i hapi rrugën anëtarësimit të shtetit nordik në aleancën perëndimore. Ankaraja ishte e fundit, mes 30 vendeve të NATO-s që dha dritën jeshile. Turqia vazhdon të mbajë peng anëtarësimin e Suedisë, të cilën e akuzon se nuk ka bërë mjaftueshëm kundër veprimeve që Ankaraja i konsideron terroriste.
Anëtarësimi i Finlandës do të përfaqësojë zgjerimin e parë që kur Maqedonia e Veriut ju bashkua aleancës në 2020-tën.