Drejtoria e Pёrgjithshme e Tatimeve përmes një njoftimi ka bërë me dije për të gjithë tatimpaguesit që nuk e kanë kryer ende procesin e fiskalizimit, kanë afat deri në fund të muajit dhjetor 2021.
Administrata Tatimore i bën thirrje të gjithë tatimpaguesve që ende nuk kanë nisur Fiskalizimin, të aplikojnë fillimisht për marrjen e certifikatës elektronike, që është një dokument elektronik, i lëshuar nga AKSHI, pas aplikimit në portalin e-Albania.
Në një reagim në faqen zyrtare të Tatimeve, bëhet me dije se numri i tatimpaguesve të Fiskalizuar që kanë lëshuar fatura në total nga 1 Janari e deri më tani është 49,839. “Nga kjo shifër, fatura nё total tё lёshuara nga Biznesi i Madh janë 18,081, ndërsa nga Biznesi i Vogёl – 31,374”.
NJOFTIMI I PLOTE
Drejtoria e Pёrgjithshme e Tatimeve informon se numri i tatimpaguesve të Fiskalizuar që kanë lëshuar fatura në total nga 1 Janari e deri më tani është 49,839, në zbatim të ligjit Nr.87/2019 “Për Faturën dhe Sistemin e Monitorimit të Qarkullimit”, i ndryshuar.
Nga kjo shifër, fatura nё total tё lёshuara nga Biznesi i Madh janë 18,081, ndërsa nga Biznesi i Vogёl – 31,374.
Administrata Tatimore kërkon të rikujtojë se subjektet kanë afat deri në fund të Dhjetorit për të përmbyllur me sukses procesin e Fiskalizimit. Inkurajojmë të gjithë tatimpaguesit që ende nuk kanë nisur Fiskalizimin, të aplikojnë fillimisht për marrjen e certifikatës elektronike, që është një dokument elektronik, i lëshuar nga AKSHI, pas aplikimit në portalin e-Albania.
Tatimpaguesit kanë mundësi për të fiskalizuar faturat e tyre, përmes përdorimit të platformës së Administratës Tatimore, Self-Care ose implementimit të një zgjidhje softwarike.
Subjektet që lëshojnë fatura për transaksionet me para në dorë, sipas nenit 22 të ligjit të Fiskalizimit mund të lëshojnë fatura dhe të kryejnë procedurën e Fiskalizimit duke përdorur platformën Self-Care pa pagese, nëse plotësojnë kushtet e mëposhtme:
- Nuk janë subjekt i tatimit mbi vlerën e shtuar.
- Kanë përgjegjësi tatimore të tatimit të thjeshtësuar mbi fitimin për biznesin e vogël.
- Nuk kanë më shumë se një vendndodhje të ushtrimit të veprimtarisë së biznesit.
- Kanë statusin ligjor “Person Fizik” dhe kategorinë e punësimit “I vetëpunësuar i vetëm”.
Në momentin kur një nga kriteret e mësipërme nuk përmbushet më prej tatimpaguesit, tatimpaguesi duhet të zbatojë procedurën e fiskalizimit me anë të zgjidhjeve software-ike të certifikuar, sipas rregullave të përgjithshme të përcaktuara në ligjin nr. 87/2019.
Për momentin nga AKSHI dhe DPT janë certifikuar 34 kompani, të cilat mund t’i shikoni në këtë link;
https://www.tatime.gov.al/d/8/45/0/1652/njoftim-per-pajisjet-fiskale-aktuale-te-certifikuara
Gjithashtu Administrata Tatimore rikujton tatimpaguesit se kanë mundësinë të bëjnë përshtatjen e pajisjeve fiskale ekzistuese në përputhje me ligjin e Fiskalizimit. Janë një numër i madh kasash aktuale, të cilat suportojnë këtë reformë, përmes implementimit të një softi të ndërmjetëm. Në këtë link mund të bëni verifikimet përkatëse me listën e pajisjeve aktuale fiskale të certifikuara;
https://www.tatime.gov.al/d/8/45/0/1652/njoftim-per-pajisjet-fiskale-aktuale-te-certifikuara
Duke qenё një proces i ri, Administrata Tatimore ka ofruar suportin dhe mbështetjen për çdo subjekt tatimpagues si para fillimeve të efekteve të ligjit edhe në vijim, duke garantuar edhe mosndëshkueshmërinë e rasteve të kundërvajtjeve të konstatuara, të cilat rezultojnë të paqëllimshme apo që kanë ardhur jo për faj të tatimpaguesit. Gjithsesi, është detyrim ligjor për çdo tatimpagues që të angazhohet dhe të marrë masat e nevojshme për përmbushjen e detyrimeve ligjore.
/Priza.al/