Fitimi i sektorit bankar shënoi një rritje të ndjeshme gjatë muajit gusht, megjithatë në vlerë progresive ngelet në nivele më të ulëta krahasuar me vitin e kaluar.
Sipas Bankës së Shqipërisë, në fund të muajit gusht fitimi neto i sektorit bankar arriti në 11.1 miliardë lekë, në rritje me 3.7 miliardë lekë krahasuar me fitimin e 7-mujorit. Megjithatë, fitimi neto ngelet në nivele më të ulëta krahasuar me 8-mujorin e vitit të kaluar, me 16% më pak.
Të dhënat mujore të publikuara nga Banka e Shqipërisë mbështeten në standardet lokale të mbikëqyrjes dhe mund të kenë diferenca me rezultatet që bazohen në standardet ndërkombëtare të raportimit financiar dhe që zakonisht bankat i raportojnë me frekuencë tremujore.
Rritja e fitimeve ka sjellë një përmirësim në treguesit e rentabilitetit krahasuar me muajt e mëparshëm.
Kështu, kthimi nga kapitali, mesatarizuar me bazë vjetore, në fund të gushtit arriti në 9.21%, niveli më i lartë i regjistruar për 2022. Megjithatë, ky tregues është ndjeshëm më i ulët krahasuar me gushtin e vitit të kaluar, kur shënonte nivelin 12.01%.
Edhe kthimi nga aktivet ka shënuar një përmirësim të ndjeshëm, duke shënuar gjithashtu vlerën më të lartë të këtij viti, në nivelin 1.02%. Por, edhe ky tregues është më i ulët në raport me të njëjtën periudhë të një viti më parë, kur shënonte nivelin 1.3%.
Gushti duket se ka sjellë sinjale të përmirësimit të përfitueshmërisë së sektorit bankar, që deri tani këtë vit ishte karakterizuar nga rënie e ndjeshme krahasuar me vitin 2021.
Arsyeja kryesore ishte efekti negativ nga rritja e normave të interesit në tregjet financiare. Kjo rritje solli ulje në vlerën e drejtë të instrumenteve financiare në portofolet e bankave, duke dhënë një efekt negativ në performancën e tyre financiare. Në raportimin për qëllime rregullatore, pjesërisht ky efekt është shkaktuar edhe nga standardet tepër konservatore të ndjekura nga Banka e Shqipërisë.
Burime nga sektori bankar bëjnë të ditur se pikërisht një tendencë më e favorshme në tregjet ndërkombëtare ka sjellë përmirësim në bilancin e të ardhurave nga instrumenteve financiare, me një rritje të vlerës së drejtë të instrumenteve të mbajtura për shitje. Ky ka të ngjarë të jetë faktori kryesor në rritjen e ndjeshme të fitimeve gjatë gushtit.
Megjithatë, ekspertët bëjnë të ditur se gjatë shtatorit ecuria e tregjeve është keqësuar sërish, duke anulluar edhe fitimet e siguruara nga rritja e vlerës së instrumenteve të borxhit në gusht. Për këtë arsye, ka shumë të ngjarë që përmirësimi i rezultatit sipas standardeve të BSH në gusht të jetë i përkohshëm.
Ndërkohë, deri tani nuk ka pasur një efekt negativ të lidhur me cilësinë e portofolit të kredisë. Të dhënat e Bankës së Shqipërisë tregojnë se raporti i kredive me probleme vazhdon të shënojë rënie të ngadaltë dhe për muajin gusht zbriti në 5.2%, niveli më i ulët që nga fundi i vitit 2008.
Të dhënat e muajit gusht japin sinjale inkurajuese për përmirësim të përfitueshmërisë, por ngelet për të parë nëse kjo tendencë do të jetë e qëndrueshme, ndërkohë që ekonomia po përballet gjithnjë e më shumë me efektet e inflacionit të lartë.
Frenimi i rritjes ekonomike dhe rënia e aftësisë paguese së sektorit privat do të japë efektet e veta edhe në sektorin financiar. Ekspertët mendojnë se gradualisht mund të ketë një ulje të ritmeve të kreditimit dhe ndoshta rritje të raportit të kredive me probleme./Monitor