Mbretëresha Elizabeth II, e cila ndërroi jetë pasditen e djeshme, është monarkja më e gjatë në fronin britanik.
Gjithnjë janë pritur me kërshëri daljet publike të Mbretëreshës Elizabeth II për gjatë gjithë mbretërimit të saj, sa për sharmin dhe elegancën që zotëronte, aq edhe për deklaratat e bujshme drejtuar popullit të saj, deklarata këto që karakterizoheshin nga një retorikë e hollë.
Më poshtë është një përmbledhje e thënieve më të famshme të mbretëreshës së ndjerë, thënie të cilësuara si “të pavdekshme”, të thëna përgjatë fjalimeve publike apo deklaratat e mbajtura prej monarkes që u shua në moshën 96-vjeçare.
Mesazh i kohës së luftës me motrën e saj më të vogël, Princeshën Margaret, më 13 tetor 1940
“Kur të vijë paqja, mbani mend se do të jetë për ne, fëmijët e sotëm, ta bëjmë botën e së nesërmes një vend më të mirë dhe më të lumtur. Motra ime është pranë meje dhe të dyja do të themi natën e mirë. Eja, Margaret! Natën e mirë, fëmijë! Natën e mirë dhe fat të mirë për të gjithë ju!”
Fjalimi në ditëlindjen e saj të 21-të, 21 Prill 1947, transmetuar në radio nga Cape Town
“Unë deklaroj para jush se e gjithë jeta ime, qoftë e gjatë apo e shkurtër, do t’i kushtohet shërbimit tuaj dhe shërbimit të familjes sonë të madhe mbretërore, së cilës ne të gjithë i përkasim.”
Fjalimi në ditën e kurorëzimit të saj, 2 qershor 1953
“Ceremonitë që keni parë sot janë të lashta dhe origjina e disa prej tyre është e mbuluar nga mjegulla e së kaluarës. Por shpirti dhe kuptimi i tyre shkëlqejnë në shekuj, ndoshta, kurrë më shumë se tani.”
“Unë jam zotuar me sinqeritet të shërbej për ju, ashtu si shumë prej jush janë zotuar në shërbimin tim. Gjatë gjithë jetës sime dhe me gjithë zemër do të përpiqem të jem e denjë për besimin tuaj.”
Transmetimi i parë televiziv i Krishtlindjeve në 1957
“Është e pashmangshme që unë të dukem një figurë mjaft e largët për shumë prej jush, një pasardhëse e mbretërve dhe mbretëreshave të historisë.”
“Unë nuk mund t’ju çoj në betejë. Unë nuk ju jap ligje dhe nuk administroj drejtësi. Por unë mund të bëj diçka tjetër. Unë mund t’ju jap zemrën dhe përkushtimin tim ndaj këtyre ishujve të vjetër dhe të gjithë popujve të vëllazërisë sonë të kombeve.”
Duke folur për BBC në 1985
“Ne brohoritëm mbretin dhe mbretëreshën në ballkon dhe më pas ecëm me kilometra nëpër rrugë. Më kujtohen rreshtat e njerëzve të panjohur që lidhin krahët dhe ecnin poshtë Whitehall-it, të gjithë ne u përshkuam në një valë lumturie dhe lehtësimi. Mendoj se ishte një nga netët më të paharrueshme të jetës sime.”
Në një fjalim për të shënuar 25 vjetorin e saj në fron, në 1977
“Kur isha 21 vjeç, premtova jetën time në shërbim të popullit tonë dhe kërkova ndihmën e Zotit për ta vënë në jetë këtë zotim. Edhe pse ai betim u bë në ditët kur isha mjaft e re, jo mjaft e pjekur në gjykim, nuk pendohem dhe as nuk tërheq asnjë prej atyre fjalëve.”
Fjalimi me krerët e shteteve në bordin e jahtit mbretëror Britannia, tetor 1989.
“Si të gjitha familjet e mira edhe ne kemi mosmarrëveshjet tona, kemi të rinj të vrullshëm dhe të pabindur, rrëmbimi i të cilëve mund të ndezë debate mes nesh”.
Fjalimi në 1992 pas një zjarri në Kështjellën Windsor dhe divorceve të tre fëmijëve të saj
“1992 nuk është një vit të cilin do ta kujtoj me kënaqësi. Sipas fjalëve të një prej korrespondentëve të mi më dashamirës, ka rezultuar të jetë një “annus horribilis”.
Adresimi televizive pas vdekjes së Princeshë Dianës në Paris, shtator 1997
“Atë që them tani, si mbretëreshë dhe si gjyshe, e them nga zemra… Askush që e ka njohur Dianën nuk do ta harrojë kurrë. Miliona të tjerë që nuk e takuan kurrë, por ndjenin se e njihnin, do ta kujtojnë atë. Unë besoj se ka mësime për të nxjerrë nga jeta e saj dhe nga reagimi i jashtëzakonshëm dhe emocionues ndaj vdekjes së saj. Unë ndaj vendosmërinë tuaj për të çmuar kujtimin e saj.”
Homazh për bashkëshortin e saj Princ Philip në përvjetorin e Artë të martesës, 20 nëntor 1997
“Ai është dikush që nuk i pëlqen fort komplimentet, por them me bindje se ai ka qenë forca ime, që më bën të qëndroj përgjatë këtyre viteve. Si unë, ashtu edhe e gjithë familja e tij apo edhe miqtë tanë ndërkombëtarë kemi një borxh të pashlyeshëm ndaj tij”.
Fjalimi më 20 nëntor 1997, në Banqueting House në Londër
“Sepse unë e di se, pavarësisht dallimit të madh kushtetues midis një monarkie të trashëguar dhe një qeverie të zgjedhur, në realitet, hendeku nuk është aq i gjerë… Dhe secila, në mënyrën e vet, ekziston vetëm me mbështetjen dhe pëlqimin e popullit.
“Pëlqimi apo mospëlqimi ndaj qeverisë, ju shprehet kryeministrave përmes kutisë së votimit. Është një sistem i ashpër, madje brutal, por të paktën mesazhi është i qartë për të gjithë. Për ne, një familje mbretërore, megjithatë, mesazhi është shpesh më i vështirë për t’u lexuar, i errësuar siç mund të jetë nga nderimi, retorika ose rrymat konfliktuale të opinionit publik. “Por ne duhet ta shquajmë atë.”
Me shënimin e 50 vjetorit si monarke, në 2002
“Mirënjohje, respekt dhe krenari, këto fjalë përmbledhin atë që ndiej për njerëzit e këtij vendi dhe Comonuelthit, ja çfarë do të thotë për mua ky Jubile i Artë.”
Kur mori statusin e monarkes më jetëgjatë të Britanisë së Madhe, më 9 shtator 2015
“Nuk është ajo, për të cilën kam aspiruar ndonjëherë. Në mënyrë të pashmangshme, një jetë e gjatë mund të kalojë nga shumë piketa, e imja nuk bën përjashtim.”
Transmetimi i Krishtlindjeve në 2017
“Duke reflektuar mbi këto ngjarje ndihem mirënjohëse dhe e bekuar për familjen dhe shtëpinë time dhe në veçanti për 70 vitet e mija përkrah tim shoqi. Nuk e di nëse dikush e kishte shpikur termin “platin” për 70 vjetorin e martesës sime, e cila nuk pritej të ishe kaq e gjatë”.
Adresimi televiziv më 5 Prill 2020, pas shpërthimit të pandemisë COVID-19
“Ne jemi përballur edhe me sfida të tjera më parë, por kjo është ndryshe. Këtë herë ne bashkohemi me të gjitha kombet anembanë globit në një përpjekje të përbashkët, duke përdorur përparimet e mëdha të shkencës dhe dhembshurinë tonë instinktive për t’u shëruar. Ne do të kemi sukses dhe ai sukses do t’i përkasë secilit prej nesh.
“Le ta mbështesim njëri- tjetrin, pasi mund të kemi akoma më shumë për të duruar, ditët më të mira do të kthehen: do të jemi përsëri me miqtë tanë; do të jemi sërish me familjet tona; do të takohemi përsëri.”
Fjalim për liderët botërorë në samitin e OKB për ndryshimet klimatike, 2021
“Koha e fjalëve i mbetet së shkuarës, tani është koha për të vepruar.”
Transmetimi i Krishtlindjeve në 2021
“Edhe pse është koha e lumturisë së madhe dhe gëzimit për shumë njerëz, Krishtlindjet mund të jenë të vështira për ata që kanë humbur të dashurit, sidomos këtë vit.
Kam marrë ngushëllime të pafundta për ndarjen nga jeta të Filipit tim të dashur, kam gjetur ngushëllim nga nderimet e shumta të bëra për jetën dhe veprën e tij, nga i gjithë vendi, Komonuelthi dhe bota”.
“Ndjenja e tij e shërbimit, kurioziteti intelektual dhe aftësia për të nxjerrë mësimin më të mirë nga çdo situatë ishin të gjitha të papërmbajtshme. Ai vezullim ishte po aq i ndritshëm në fund sa kur i hodha sytë për herë të parë”
Mesazh më 6 shkurt 2022, për të shënuar 70 vjetorin e ngjitjes së saj në fron
“Ndërsa shënojmë këtë përvjetor, më jep kënaqësi t’ju rinovoj zotimin që dhashë në 1947 se jeta ime do t’i kushtohet gjithmonë shërbimit tuaj.”
“Mezi pres të vazhdoj t’ju shërbej me gjithë zemër, shpresoj se ky jubile do të bashkojë familjet dhe miqtë, fqinjët dhe komunitetet pas disa kohësh të vështira për shumë prej nesh. Le të shijojmë festimet duke reflektuar mbi zhvillimet pozitive në jetën tonë të përditshme, të cilat kanë përkuar kaq lumturisht me mbretërimin tim.”