Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama denoncoi të shtunën në Asamblenë e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara agresionin rus ndaj Ukrainës, duke e quajtur atë “ një luftë të paprovokuar, të pajustifikuar dhe të paramenduar”.
“Lufta që Rusia zgjodhi të ndërmerrte nuk është vetëm kundër Ukrainës dhe popullit të saj: Ajo është gjithashtu një sulm brutal kundër së drejtës ndërkombëtare, shkelje flagrante e Kartës së OKB-së dhe kërcënim i drejtpërdrejtë për Arkitekturën Evropiane të Sigurisë”, tha ai.
Kryeministri Rama tha se bëhet fjalë për një luftë të hapur nga një tirani cinike e plakur ndaj një demokracie të re në rritje.
“Një vend, i motivuar nga ëndrrat e madhështisë së kohëve të shkuara, ka vendosur ta kthejë botën mbrapa, të kthehet kundër gjithçkaje që kemi ndërtuar gjatë dekadave. Kjo është e papranueshme”, tha ai.
Kryeministri i Shqipërisë, një vend që aktualisht është anëtar jo i përhershëm i Këshillit të Sigurimit të OKB-së shprehu solidaritetin me Ukrainën dhe popullin e saj.
“Lufta e tyre është edhe e jona, dhe shpresoj, e të gjithë anëtarëve të OKB-së, që ndajnë parimet themelore të sovranitetit, të integritetit territorial, të lirisë dhe të së drejtës për të vendosur në mënyrë të pavarur për të ardhmen e tyre, pa frikë apo ndërhyrje”, tha zoti Rama.
Kryeministri i Shqipërisë dënoi veprimet e fundit të Kremlinit për mobilizim të pjesshëm dhe për referendume në rajonet nën kontrollin rus, duke thënë se Shqipëria nuk do t’i njohë këto votime të paligjshme. Ai tha se Shqipëria mbështet miratimin e një Konvente për Parandalimin dhe Ndëshkimin e Krimeve Kundër Njerëzimit.
“Ky instrument i ri do të plotësonte një boshllëk të ndjeshëm në kuadrin aktual ndërkombëtar dhe do të lehtësonte bashkëpunimin ndërkombëtar për të mbrojtur civilët”, tha ai.
Më pak se tre javë pasi Shqipëria u bë objekt i dy sulmeve kibernetike nga Irani, duke sjellë si pasojë ndërprerje e marrëdhënieve me Republikën Islamike, zoti Rama – i cili i quajti ato “shkelje flagrante” – tërhoqi vëmendjen për rëndësinë e sigurisë kibernetike dhe për mbajtjen përgjegjës të aktorëve që e kërcënojnë atë.
“U bëjmë thirrje Kombeve të Bashkuara, përfshirë edhe Këshillit të Sigurimit, të përqëndrohet më seriozisht dhe më konkretisht për të trajtuar sigurinë kibernetike, duke investuar në parandalim dhe duke ndihmuar të gjitha shtetet anëtare që të ndërtojnë qëndrueshmëri e rezistencë”, tha zoti Rama.
Duke folur për Ballkanin dhe Kosovën, zoti Rama tha se shtypja dhe vuajtja e të kaluarës, përfshirë gjenocidin në Srebrenicë dhe spastrimin etnik në Kosovë, nuk do të harrohen.
“Llogaridhënia është e pranishme dhe do të vazhdojë dhe ne duhet që të dyfishojmë përpjekjet që të bëjmë të mundur që të ndjekë rrugën e saj e pa penguar. Kjo kërkon angazhim me vendosmëri ndaj idealeve të drejtësisë dhe mbi të gjitha, bashkëpunim midis palëve”.
Ai foli gjithashtu për nismën e Shqipërisë për të hedhur poshtë raportin Marty.
“Ne mendojmë që dhe shpresojmë që Asambleja e Këshillit të Europës do të nderojë të vërtetën dhe do të pranojë kërkesën e Shqipërisë për të pasur një raport vijues, ndërkohë që dëmi është bërë dhe të ndihmojë të rivendosë besueshmërinë e një organizate kaq të rëndësishme ndërkombëtare”, tha ai.
Zoti Rama foli edhe për Ballkanin e Hapur duke thënë se mesazhi më i mirë i tij është se “nuk është e nevojshme të biesh dakord për gjithçka për të lënë pas të shkuarën e errët e për të ndërtuar, hap pas hapi, një të ardhme të ndritshme”.
“Duke forcuar marrëdhëniet e saj me Serbinë dhe duke ecur përpara për të nxitur bashkëpunimin dypalësh e rajonal, Shqipëria as nuk ka lëvizur e nuk do lëvizë asnjë centimetër nga qëndrimi i saj i palëkundur në mbështetje të nevojës për çdo vend, edhe mes jush që nuk e ka bërë këtë gjë, përfshirë dhe Serbinë, që të njohë Republikën e Kosovës”, tha ai.
Zoti Rama tha se është koha që Kosova dhe Serbia të kapërcejnë ngërçin aktual në dialogun e tyre dhe të punojë me kurajë drejt një marrëveshjeje gjithpërfshirëse paqeje, të mbështetur nga BE-ja dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
“Dialogu nuk ështe vetëm rruga më e mirë, por rruga e vetme dhe e patjetërsueshme për t’u marrë me këto çështje, sado të vështira të duken dhe sado komplekse të jenë”, tha ai.
“Mbetem i bindur që Ballkani i Hapur vetëm sa do të ndihmojë të lehtësojë këtë proces për të mirën e të gjithëve, të shqiptarëve dhe të serbëve, të Kosovës dhe Serbisë por edhe për rajonin dhe Europën më gjerë”, tha ai.
Kosova nuk ka pranuar të bëhet pjesë e Ballkanit të Hapur, ashtu si edhe Bosnja dhe Mali i zi, megjithëse këto dy të fundit u janë bashkuar takimeve të fundit në cilësinë e vëzhguesve./voa