Avokati i 18-vjeçarit që u la në burg për vrasjen e Stiven Toshkësit, në një deklaratë për mediat është shprehur se Ensi Maze nuk ka lidhje me ngjarjen e rëndë, dhe se ka tentuar që të shuaj konfliktin.
Ai tha se klienti i tij është i pafajshëm dhe nuk ka pasur dijeni për konfliktet që autorit tjetër i dyshuar Axel Hoxhaj, kishte me viktimën Stiven Toshkësin.
“Në vlerësimin tonë ky shtetas nuk ka lidhje me ngjarjen e rëndë. Është student në Holandë dhe ka ardhur më 13 prill, me biletë kthimi më 19 prill. Duke qenë se këto ditë ka takuar edhe shokët e tij, një prej tyre Axel Hoxhaj, duke lëviz në trotuar ka ardhur një mjet ka ndaluar dhe ka ndodhur ngjarja. Ka parë që shoku i tij ka shkuar në drejtim të shoferit, dhe për të shuar konfliktin ka tentuar të ndalojë dhe mos të lërë pasagjerin të dalë.
Më pas ai i vërsulet, dhe nga pamjet që dalin shihet se nuk bën asnjë veprim të dhunshëm kundër pasagjerit, por ai e sulmonte atë. Ensi Maze nuk ka parë asnjë hanxhar, as Hoxha nuk e ka informuar për ndonjë konflikt të mundshëm.
Maze është shok i Hoxhës dhe ka pas njohje dhe me vajzën në fjalë, por nuk e ka informuar për konfliktet që ka pasur me persona të tjerë. Në pamjet e publikuara shihet se Manze nuk ka bërë asnjë dhunë ndaj pasagjerit, por e kundërta. Nëse nuk do kishte tentuar të bllokonte derën, do kishte agravuar më shumë.
Manze është vetëdorëzuar, në momentin që ka ndodh ngjarja ka komunikuar me të atin dhe ka thënë se jam tek stadiumi Arena dhe aty ka shkuar ta marrë policia. Vajza ka deklaruar se nuk ka pasur asnjë lidhje apo konflikt me Mazen”, deklaroi avokati.